Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku shpjegoi procesin e rikonstruksionit të Piramidës dhe funksionit që ajo do të ketë duke filluar nga shtatori.
Mazniku tha në ABC News se ideja i rivitalizimit të Piramidës ka qenë që objekti të përdorej nga brenda dhe nga jashtë. “Ideja e rivitalizimit të Piramidës ishte ky, që të kishim një objekt që të përdorej nga brenda, duke e kthyer atë në qendrën e trajnimit të teknologjisë kryesisht për fëmijët nga 12-18 vjeç”, u shpreh ai.
Mazniku shtoi se një qendër që quhet “TUMO” që funksionon në “Qemal Stafa” tanimë.
“Synimi është që Piramida të kalojë nga 1 mijë në 5 mijë të rinj. Po ashtu një pjesë tjetër e Piramidës do të jenë në dispozicion të kompanive të teknologjisë dhe një pjesë tjetër do të jepet me qira, që pjesa e trajnimit të fëmijëve të subvencionohet nga vetë Piramida”, vuri në dukje ai.
“Ideja ishte që të rivitalizonim edhe nga jashtë, duke u bërë ndër objektet më të rralla, që ka funksion nga brenda dhe jashtë. Në strukturën e Piramidës do të jetë një atraksion turistik, dhe kështu, ndryshe nga hapësirat e tjera, me rivitalizimin e saj kemi fituar dy hapësira”, u shpreh Mazniku.
Nënkryetari i bashkisë shtoi se lulishtja është më e jetueshme se më parë.
“Unë mendoj që lulishtja është shtuar dhe është bërë akoma edhe më e jetueshme. Janë shtuar pemët dhe shkurret. Kushdo që vjen e sheh dhe e dallon shumë thjeshtë”, theksoi ai.
Piramida pak javë bëri hapjen e saj të pjesshme, pasi në ambientet e brendshme të saj po punohet akoma dhe pritet që të jetë gati në shtator.
Por edhe pse është hapur pjesërisht dhe ajo me kohë të pjesshme, sipas Maznikut është kthyer shpejt në një ambient të preferuar për qytetarët.
“Jemi akoma në hapjen e butë të saj, pasi brenda po punohet akoma. Do marri kohë deri në shtator, kur do të hapet për fëmijët. Pjesa jashtë ka filluar të funksionojë me kohë të limituar dhe për pak kohë ajo është bërë një objekt tërheqës nga shumë qytetarë”, tha Mazniku.
Mazniku tha se rikonstruksioni i Piramidës është bërë nga financimi i qeverisë, bashkisë së Tiranës dhe Fondit Amerikan të Zhvillimit dhe në total ka kushtuar 16 milionë euro.
“Projekti është një bashkëfinancim i qeverisë shqiptare, bashkisë së Tiranës dhe Fondit Amerikan të Zhvillimit. Nëse nuk gaboj projekti ka kushtuar rreth 16 milionë euro.
Pjesa interesante është ka funksionuar shumë mirë bashkëpunimi mes palëve”, sqaroi nënkryetari i bashkisë Tiranë.
Më pas, Manziku u shpreh se kurset janë hapur prej dy vitesh në një ambient në ish-stadiumin “Qemal Stafa”, ku po trajnohen 1 mijë fëmijë, ndërsa në shtator te Piramida do të jenë 5 mijë fëmijë. Trajnimin mund ta nisë çdo fëmijë që është mbi 12 vjeç dhe shumica prej tyre përfitojnë burse, por pagesa normale është 3 mijë lekë të reja në muaj.
“Kurset janë të hapura dhe funksionojë prej 2 vitesh. Në “Qemal Stafa” ekziston qendra që trajnon 1 mijë fëmijë çdo muaj, e ndarë në orare. Fëmijët vijnë dhe regjistrohen, çdo fëmijë që është mbi 12 vjeç. Pjesa më e madhe e fëmijëve janë me bursa, por pagesa që kanë paguar ka qenë 3 mijë lekë të reja në muaj. Më shumë se 60 % e fëmijëve kanë qenë me bursë. Objektivi është që kur të vijmë te Piramida, rreth 50 % e sipërfaqes të jetë për qendrën dhe pjesa tjetër të jetë me qira, pikërisht për të subvencionuar trajnimin fëmijët”, shtoi Mazniku./atsh/Revista TIME

