Pas Ramiz Merkos, në “listën e zezë” të SHBA-së do të ketë edhe emra të tjerë njofton ambasadorja amerikane në Shkup, Anxhela Aggeler. Ajo tha se procesi i shpalljes të një personi “non grata” nga DASh bëhet me kujdes dhe bazohet në fakte. Kryeminsitri Kovaçevski tha se përfshrja e Merkos në listen e zezë të SHBA-ve është një mesazh i rëndë për vendin.
Ramiz Merko vazhdon të jetë i pari i komunës së Strugës, edhe pasi Departamenti i Shtetit e vendosi atë në listë të zezë atë për shkak të provave për përfshirje në afera korruptive. Ambasadorja amerikane Anxhella Ageler deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i marrin seriozisht të gjitha akuzat dhe provat për korrupsion, ndërsa paralajmëroi zgjerim të listës.
“Jam e sigurt se do të ketë emërime të tjera të tilla, por se kur do të ketë nuk mund të them. Ky proces bëhet me shumë kujdes. SHBA e merr këtë shumë seriozisht dhe ne i marrim shumë seriozisht akuzat dhe provat e korrupsionit. Populli i Maqedonisë së Veriut, qytetarët e këtij vendi kanë të drejtë të kenë zyrtarë të zgjedhur të cilëve mund t’u besojnë”.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski duke komentuar pëfshirjen e Merkos në listën e zezë të SHBA-së tha se ky është mesazh i rëndë për vendin, ndërsa shprehu revoltë ndaj sistemit gjyqësor në vend që deri më tani nuk i ka pasur këto të dhëna për kreun e Strugës.
“Akuzat që janë bërë për vendosjen në listën e zezë të kryetarit të Komunës së Strugës janë të rënda. Janë të bazuara në disa fakte. Autoritetet tona hetimore dhe gjyqësore duhet të hetojnë pretendimet e bëra nga Departamentit i Shtetit dhe të pyesin veten se si Shtetet e Bashkuara arritën të kenë një informacion të tilla të cilët janë disa mijëra kilometra larg nga këtu ndërsa autoritetet tona nuk kanë arritur deri më tani të arrijë deri te këto informacione”.
E ministri i Arsimit nga radhët e BDI-së Jeton Shaqiri në lidhje me këtë tha se qëndrim i BDI-së është që të ketë proces vettingu për të gjithë funksionarët nga nivelet më të ndryshme. Reagime ka pasur edhe nga partitë opozitare. Lëvizja “Besa” dhe “Alternativa kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të Merkos, ndërsa Prokuroria Publike dhe MPB-ja të marrin masa adekuate. ASH-ja ka kërkuar që Prokuroria për ndekje të korrupsionit të hapë lëndë ndaj Merkos për të garantuar llogaridhënie. “Kjo është vetëm një arsye pse BDI duhet të shkojë në opozitë”, kanë reaguar nga VMRO-DPMNE-ja, duke shtuar se institucionet nuk duhet të heshtin, por të reagojnë menjëherë.