Kur një sistem është i paaftë të trajtojë problemet jetësore të tij, ai degradon, shpërbëhet ose mund të pjellë një metasistem, vetëm e vetëm për të trajtuar problemet e tij: ai metamorfozohet. Sistemi Tokë është i paaftë të organizohet për të trajtuar problemet jetësore të tij: rreziqe nukleare të cilët rëndohen me përhapjen e ndoshta me privatizimin e armës atomike; degradimi i biosferës; ekonomi botërore pa rregull të vërtetë, rikthimi i urive; konflikte etno-politiko-fetare që tentojnë të përfundojnë në luftëra civile.
Zgjerimi dhe shpejtimi i të gjitha këtyre proceseve mund të konsiderohet si shpërthimi i një feedback-u negativ, proces ky, nëpërmjet të cilit shpërbëhet në mënyrë të pandreqshme një sistem.
Ajo që ka të ngjarë më tepër të ndodhë, është shpërbërja. Ajo që nuk duket ende në horizont por që ka mundësi të ngjasë është metamorfoza. Çfarë është një metamorfozë? Për këtë ne shohim një mori shembujsh nga mbretëria e botës shtazore. Vemja, e cila mbyllet brenda një pupe (krizalide) fillon një proces të dyfishtë vetëshkatërrues dhe vetërindërtues, sipas një organizimi dhe një forme fluture, krejt ndryshe nga vemja, por duke ngelur e njëjta gjë. Lindja e jetës mund të konceptohet si metamorfoza e një organizimi fiziko-kimik, i cili pasi ka arritur në një pikë mbingopjeje, ka krijuar meta-organizimin e gjallë, i cili duke mbartur të njëjtit përbërës fiziko-kimikë, ka prodhuar cilësi të reja.
Formimi i shoqërive historike, në Lindjen e Mesme, në Indi, në Kinë, në Meksikë, në Peru përbën një metamorfozë duke u nisur nga një agregat i shoqërive arkaike të gjahtarëve-vjelësve e cila ka prodhuar qytetet, shtetin, klasat sociale, ndarjen e punës, besimet e mëdha fetare, arkitekturën, artet, literaturën, filozofinë. Dhe gjithë këto për të zezën e tyre: lufta, skllavëria. Duke u nisur nga shekulli XXI shtrohet problemi i metamorfozës së shoqërive historike në një shoqëri-botë të një tipi të ri, e cila do të përfshijë shtetet-kombe pa i zhdukur ato. Kjo sepse vazhdimi i historisë, domethënë, lufta, nga shtetet që kanë armë të shkatërrimit në masë, shpie, pothuajse në të njëjtin shkatërrim të njerëzimit.
Ndërkohë që, për Fukuyama-n kapacitetet krijuese të evolucionit njerëzor kanë shteruar me demokracinë përfaqësuese dhe ekonominë liberale, ne duhet të mendojmë se përkundrazi është historia e cila ka shteruar dhe jo kapacitetet krijuese të njerëzimit.
Ideja e metamorfozës, më e pasur se ideja e revolucionit, ruan në vetvete radikalitetin transformues, por të lidhur me konservimin (e jetës, të trashëgimisë së kulturave). Si duhet ndryshuar rruga për të shkuar drejt metamorfozës? Por, nëse duket e mundur të korrigjohen disa të këqija, ndërkaq është e pamundur të frenohet vërshimi i furishëm tekniko-shkencor-ekonomiko-qytetëzues, i cili po e udhëheq planetin drejt gjëmave të mëdha. E megjithatë historia njerëzore ka ndryshuar rrugë shpesh. Gjithçka nis, gjithmonë, me një rregull të ri, një mesazh të ri në një drejtim tjetër, anësor, modest, shpesh të padukshëm nga bashkëkohësit. Kështu kanë filluar besimet e mëdha fetare: budizmi, kristianizmi, besimi Islam. Kapitalizmi u zhvillua në kurriz të shoqërive feudale për të marrë përfundimisht vrullin e tij dhe me ndihmën e mbretërivë t’i shpërbënte ato.
Shkenca moderne u formua duke u nisur nga disa mendje që ecën në rrugë të reja dhe mjaft të shpërndara në hapësirë, Galile, Bakon, Dekart, pastaj krijoi rrjetet e saj dhe shoqëritë e saj, hyri në universitete në shekullin XIX pastaj në shekullin XX hyri në ekonomi dhe Shtete për tu bërë një nga katër motorrët më të fuqishëm të anijes kozmike Tokë. Socializmi lindi në disa mendje autodidakte dhe anësore të shekullit XIX për t’u bërë një forcë historike madhore në shekullin XX. Sot gjithçka është për t’u rimenduar. Çdo gjë është për t’u rifilluar.
Çdo gjë në fakt ka rifilluar, por pa e ditur. Ne jemi në stadin e fillimeve, modeste, të padukshëm, anësorë, të shpërndarë në hapësirë. Sepse, tashmë në të gjitha kontinentet ekziston një vlim i brëndshëm krijues, një mori nismash vendore, në drejtim të ripërtëritjes ekonomike, ose sociale, ose politike, ose njohëse, ose edukative, ose etike, ose të reformës së jetës.
Këto nisma nuk e njohin njëra – tjetrën, asnjë administratë nuk i numëron ato, asnjë parti nuk ka dijeni për këtë. Por ato janë rezervat e kompetencave të së ardhmes. Ato duhen njohur, regjistruar, krahasuar, duhen futur në repertorin e ditës, duhen bashkërenduar në një shumësi rrugësh reformatore. Janë pikërisht këto rrugë të shumëfishta të cilat do të mund, duke u zhvilluar krah njëra – tjetrës, të bashkohen për të formuar rrugën e re, e cila do të na çonte drejt një metamorfoze akoma më të padukshme e më të pakonceptueshme. Për të përpunuar rrugët që do të bashkohen në Rrugë, na duhet të çlirojmë alternativa të kufizuara, të cilat na i rrudhin botën e njohjes e të mendimit hegjemonik. Kështu duhet njëkohësisht të përgjithësojmë e të shpërgjithësojmë, të rrisim e të pakësojmë, të zhvillojmë e të fshehim.
Orientimi “përgjithësim/shpërgjithësim” do të thotë të shumëzosh proceset e komunikimit e të planetarizimit kultural, nëse lypset që të krijohet një ndërgjegje e “Tokës-atdhé”, duhet gjithashtu ta nisësh në mënyrë shpërgjithësuese, ushqimin e afërt, artizanatet e afërta, tregtitë e afërta, prodhimet perimore përreth qyteteve, komunitetet vendorë dhe rajonalë.
Orientimi “rritje/pakësim” do të thotë se duhen rritur shërbimet, energjitë e gjelbëra, transportet publike, ekonomia e shumicës me ekonominë sociale dhe solidare, menaxhimet e humanizimit të megapoleve, bujqësitë dhe blegtoritë fermerë dhe biologjikë, por për të pakësuar helmimet e konsumimit, ushqimi i industrializuar, prodhimi i objekteve të hedhshme dhe të pariparueshme, trafiku automobil, trafiku kamion (në dobi të hekurudhorit).
Orientimi “zhvillim/fshehje” do të thotë që objektivi nuk është më rrënjësisht zhvillimi i të mirave materiale, i efikasitetit, i rentabilitetit, i asaj që mund të llogaritet, është gjithashtu rikthimi i secilit në nevojat e brendshme, rikthimi i madh në jetën e brendshme dhe në parësinë e të kuptuarit të të tjerëve, të dashurisë e të miqësisë.
Nuk mjafton më të denoncojmë. Tashmë ne duhet të parashtrojmë. Nuk mjafton të kujtojmë ngutjen. Duhet të dimë po ashtu të fillojmë për të përfunduar rrugët që na shpien në Rrugë. Atë për çfarë ne përpiqemi të kontribuojmë. Cilat janë arsyet për të shpresuar? Ne mund të formulojmë pesë parime shpresdhënëse:
1. Shfaqja e menjëherëshme e së pamundurës. Kështu, rezistenca fitimtare prej dy herësh e Athinasë së vogël dhe fuqia e madhe perse, pesë shekuj para erës sonë, ishte fare e pamundur dhe lejoi lindjen e demokracisë e të filozofisë. Po ashtu, ka qenë i pa pandehur ngurtësimi i ofensivës gjermane para Moskës në vjeshtën e vitit 1941, pastaj e pamundur kundërofensiva fitimtare e Zhukovit e nisur në 5 dhjetor, dhe e vazhduar në 8 dhjetor me sulmin e Pearl Harbor-it, i cili bëri që Shtetet e Bashkuara të hyjnë në luftën botërore.
2. Vetitë përgjithësuese/krijuese të pandara nga njerëzimi. Ashtu sikurse në organizmin e njeriut të rritur gjenden qeliza cungore të pajisura me aftësitë polivalente (totipotente) si tek qelizat embrionale, por të paaktivizuara, po ashtu ekzistojnë në çdo qenie njerëzore, në çdo shoqëri njerëzore, veti rigjeneruese, gjeneruese, krijuese në gjendje të fjetur ose të bllokuar.
3. Vetitë e krizës. Në të njëjtën kohë me forcat regresive ose shpërbërëse, forcat gjeneruese, krijuese zgjohen në krizën planetare të njerëzimit.
4. Atë për të cilën kombinohen vetitë e rrezikut: “Atje ku rritet rreziku, rritet gjithashtu diçka që na shpëton prej tij”. Fati hyjnor është i pandashëm nga rreziku hyjnor.
5. Dëshira mijëravjeçare e njerëzimit për harmoninë (Parajsa, pastaj utopitë, pastaj ideologjitë anarkiste/socialiste/komuniste, pastaj dëshira dhe revolta të rinjsh të viteve 1960). Kjo dëshirë rilindi në gëlimin e dëshirave të shumëfishta e të shpërndara, të cilat mund të ushqenin rrugët reformatore, të përkushtuara për t’u bashkëngjitur në rrugën e re.
6. Dëshira kishte vdekur. Brezat e vjetër i kanë kuptuar shpresat e rreme. Brezat e rinj mërziten sepse nuk ka më kauzë si ajo e rezistencës sonë gjatë luftës së dytë botërore. Por kauza jonë bart në vetvete kundërshtinë e saj. Siç thoshte Vasili Grossman i Stalingradit, fitorja më e madhe e njerëzimit ishte në të njëjtën kohë humbja më e madhe e tij, sepse prej saj doli fitimtar totalitarizmi stalinian. Fitorja e demokracive rivendosi me një goditje të vetme kolonializmin e tyre. Sot kauza është pa mëdyshje, fisnike: Është fjala për të shpëtuar njerëzimin.
Shpresa e vërtetë e di se ajo nuk është e sigurtë. Kjo shpresë nuk është nga më të mirat e botëve, por në një botë më të mirë. Origjina eshtë para nesh, thoshte Heidegger. Metamorfoza do të jetë efektivisht një origjinë e re.
*) Sociolog dhe filozof. Lindur në 1921, është drejtor i merituar kërkimesh në CNRS, president i Agjencisë europiane për kulturën (Unesco) dhe president i shoqatës për mendimin kompleks. Në 2009, ai ka publikuar “Edwige, L’inséparable” (Fayard). Po ashtu janë në qarkullim: “La pensée tourbillonnaire – introduction à la pensée de Jean Tellez” (Edition Germina).
Shqipëroi: Ferdin Liçaj

