Holanda ka zgjeruar fashën moshore për aplikimin e eutanazisë te fëmijët, duke mundësuar që mjekët të ndihmojnë në eutanazinë* e fëmijëve nga mosha 1-12 vjeç, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda dhe të pashërueshme. Më parë, ligji zbatohej për foshnjat, deri në ditëlindjen e tyre të parë dhe për fëmijët mbi 12 vjeç.

Eutanazia – njihet që në lashtësi dhe në thelb nënkupton një vdekje të lehtë dhe pa dhimbje për të sëmurët të cilët nuk kanë shpresë për t’u shëruar apo janë në gjendje terminale. Mund të kryhet me vullnetin e lirë të pacientit, ose në rastet kur pacienti s’është i vetëdijshëm. Për këtë, duhet kërkesa, aprovimi dhe nënshkrimi i familjarëve.

Rregulli i ri do të zbatohet për një numër që varion nga 5-10 fëmijë në vit, me qëllim që t’u japë fund vuajtjeve të padurueshme nga sëmundja, në rastet kur nuk ekziston asnjë shpresë për përmirësim.

“Eutanazia për këtë grup është alternativa e vetme e arsyeshme ndaj vuajtjeve të padurueshme dhe të pashpresë për fëmijët”, u shpreh qeveria holandeze në një deklaratë.

Holanda u bë vendi i parë në botë që miratoi eutanazinë në kushte strikte në vitin 2002 dhe të gjitha rastet duhet të raportoheshin në bordin e rishikimit mjekësore. Siç e thamë edhe më sipër, ligji parashikonte mundësinë e eutanazisë për foshnjat me sëmundje të pashërueshme, deri në ditëlindjen e tyre të parë dhe për fëmijët mbi 12 vjeç.

Vitin e kaluar, vetëm një rast i një të mituri është raportuar në bordin e shqyrtimit. Por, tashmë, të gjithë fëmijët që vuajnë nga sëmundjet e rënda dhe nuk kanë shpresë për kurim dhe shpëtim, mund të asistohen në eutanazi.

Ky shtet nuk është i pari në botë që lejon ndihmën e mjekëve në eutanazi, për fëmijët e të gjitha moshave. Belgjika e ka bërë miratuar ligjin që në vitin 2014.

Burimi: BBC