Policia e Kosovës ka njoftuar sot se bazuar në informacionet e fundit, rruga e cila ishte bllokuar më 27 dhjetor, në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në ora 09:50 është liruar për qarkullim.
“Njoftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tani se pikë kalimi kufitar Merdarë, është liruar për qarkullim dhe i është kthyer normalitetit të plotë”, njofton Policia.
Gjithashtu, Policia ka dhënë detaje lidhur me djegien e dy kamionëve gjatë natës në veri të vendit.
“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë”, është bërë e ditur nga policia.
Përveç dëmeve materiale, sipas Policisë, nuk raportohet për lëndime, ndërsa rasti është duke u hetuar.
Kamionët, që kanë shërbyer si një nga 13 barrikadat në veri, kanë penguar lirinë e lëvizjes në atë zonë.

