Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit ka hapur garën ndërkombëtare për pozicionin e Drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit, një rol kyç në procesin e administrimit të Butrintit, pasuri botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Sipas thirrjes, Drejtori Ekzekutiv, ndër të tjera, duhet të menaxhojë periudhën e tranzicionit, gjatë kalimit të administrimit nga Zyra e Administrimit dhe e Koordinimit të Parkut Kombëtar, Butrint në FMB; të vlerësojë dhe përzgjedhë stafin e ri të punonjësve; të jetë ura lidhëse mes stafit dhe bordit të FMB, të bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Kulturës, ministritë e tjera të linjës, autoritetet dhe agjencitë përkatëse vendore dhe organizatat ndërkombëtare; të çojë përpara zbatimin e protokolleve të mirëkuptimit, politikave drejtuese, duke u mbështetur mbi linjat udhërrëfyese të UNESCO-s për një pasuri botërore si Butrinti; të përfaqësojë Fondacionin në konferenca ndërkombëtare.
Drejtori Ekzekutiv duhet të jetë i diplomuar (në nivelin master apo doktoraturë) në një nga fushat si arkeologji, histori, arkitekturë, menaxhim i trashëgimisë kulturore, administrim biznesi, shkenca sociale, shkenca ekonomike apo për drejtësi; të ketë eksperiencë në pozicione drejtuese apo menaxheriale, të ketë njohje të mira për trashëgiminë kulturore, konventat ndërkombëtare të trashëgimisë, të demonstrojë eksperiencë dhe aftësi në bashkëpunim me autoritete lokale dhe ndërkombëtare.
Kandidati duhet të paraqesë aftësi drejtuese, menaxheriale, komunikuese, të njohjes së gjuhës angleze etj. Afati i aplikimit është deri në datën 14 tetor 2022. Seleksionimi do të kalojë përmes fazës së vlerësimit të dosjeve, për të vijuar me intervistën dhe vlerësimin përfundimtar nga Bordi i Fondacionit per Menaxhimin e Butrintit.
Gara është e hapur për kandidatë shqiptarë e të huaj, të cilët përmbushin kriteret dhe kërkesat e vendosura nga FMB për pozicionin e Drejtorit Ekzekutiv./atsh

