Vendet e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord sot që të lejojnë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në bllok pa viza, në pritje të miratimit zyrtar nga Parlamenti Evropian.

“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së”, tha ministrja suedeze për Migracionin, Maria Malmer Stenergard.

Sipas rregullave të reja që mund të zbatohen nga viti 2024, personat me pasaportë kosovare do të mund të udhëtojnë në BE pa vizë dhe të qëndrojnë deri në 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore.

Parlamenti Evropian pritet të zhvillojë votimin përfundimtar për miratimin e rregullave të vizave në muajin prill.