Këshilli Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë projektligjin për qeverisjen elektronike. Zv/kryeministrja Balluku shpjegon se paralelisht me procedurat për miratimin e këtij ligji qeveria po analizon të gjithë tregun për të rritur pagat jo vetëm të profesionistëve IT, por dhe inxhinierëve të disa kategorive e po ashtu juristëve të kualifikuar.

“Për të hapur këtë treg dhe për ta bërë të konkurrueshme edhe pozicionet brenda administratës shtetërore ne do na duhet ta rregullojmë me ligj.”

Balluku e pyetur për bllokimin e punës në dy inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit shpjegon se arsyet nuk janë të lidhur me njëra-tjetrën. Sipas saj, në rastin e Elbasanit çështja lidhet me remontet dhe në atë të Fierit me faktin se kjo vepër është ende në proces ndërtimi.

“Por mbas tre viteve funksionim inceneratori i Elbasanit në dijeninë time ka një proces ndryshimi të pompave. Incineratori i Fierit, në dijeninë time administratori i sekuestros dhe të gjithë punonjësit janë duke vazhduar procesin përndërtimin e inceneratorit.”

Për dy inceneratorët, SPAK ka çuar në gjykatë 31 persona. Administratorja e inceneratorit të Elbasanit, Stela Gugallja, është zbuluar se ndodhet në Vjenë dhe po vijon një betejë ligjore për të refuzuar ekstradimin.