Ministrja Belinda Balluku thotë se nuk ka ndërmend të kandidojë për bashkinë e Tiranës.

Në një intervistë për emisionin Now në Euronews Albania, Balluku u shpreh se bashkia e Tiranës nuk ka pse të zëvendësohet fare pasi është një bashki e drejtuar në mënyrë të  suksesshme nga Erion Veliaj.

Balluku tha se ka një marrëdhënie shumë të mirë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ministrja nënvizoi se do e mbështesë edhe personalisht Veliajn në Tiranë, për mandatin e tretë në krye të Bashkisë.

‘Erioni është nuni i vajzës time. Siç më konsideron ai motër edhe unë e konsideroj vëlla. Njihemi para se të ishim në politikë. Erioni ka shkëlqyer në drejtimin e Bashkisë Tiranë dhe ka mbështetjen tonë, të Partisë Socialiste edhe për mandatin tjetër. Të tjerat janë saga politike. Takohemi madje dhe fundjavave për mëngjesin bashkë. Jemi shokë të mirë dhe gjithë kjo telenovela mediatike shërben vetëm për lajme, po nuk ka asnjë bazë të vërtetë. Do bëj punën  time për të ndihmuar Erionin në Tiranë, sidomos në zonën e Kombinatit ku kam kontribuar.’- u shpreh Balluku për emisionin ‘Now’./xh.m