Lufta ndaj korrupsionit në radhët e policisë dhe forcimi i Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore në funksion të rritjes së trupës së policisë së shtetit, do të vazhdojnë të jenë prioritete për Ministrinë e Brendshme edhe gjatë vitit 2023.

Kështu deklaroi sot ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në konferencën për mediet ku prezantoi arritjet e institucionit që ai drejton për vitin 2022 dhe sfidat për vitin 2023.

Çuçi tha se, gjatë vitit 2022, 168 punonjës policie janë arrestuar për shkeljet e konstatura. “I kemi shpallur luftë pa kompromis krimit dhe korrupsionit. Rritja e integritetit të punonjësve të policisë është garanci për luftën ndaj kriminalitetit dhe krimit të organizuar”, theksoi ministri, teksa vuri në dukje se këtë vit është në fokus binjakëzimi i akademisë së policisë me akademinë e shtetit italian.

“Synojmë binjakëzimin e akademisë tonë të sigurisë, tashmë e transformuar në institucion të arsimit të lartë, me strukturat e akademike të policisë italiane. Pra duke ndryshuar kurrikulën, ne do të nxjerrim policë me kualitetin e policisë italiane. Është një projekt shumë premtuese që synon të rrisë profesionalisht trupën tonë policore”, u shpreh Çuçi.