
ALI ALIU
Rreth romanit “Perandorët” të Majlinda Ramës botim i Toena-s, 2014)
I.
Përshtypja e parë pas leximit të romanit
“Perandorët” nga Majlinda Rama, mund të jetë edhe si për një roman dhe narracion të pastër realist, përmes rrëfenjave nga më tronditëset, me momente makabre, që sjell mafien dhe krimin në përditshmërinë e hapësirës shqiptare. Fjala është për temën e lëngatën, nga më të rëndat, në mos më mizoret, shtrirë mbi hapësirën tonë. Edhe pse e tillë, të cilën e shohim dhe s’e shohim, ose shtiremi sikur s’e shohim, madje që e ndjejmë praninë e brutalitetit të saj, dhe që mësohemi të jetojmë dhe, edhe të bashkëjetojmë me të. Bën që të mos ia dimë tamam rrënjët, huqet, kanalet, lidhjet, shtrirjen gjerë e gjatë, por gjithnjë të tulatur dhe rehatuar, si nën një tis të mjegullt, çuditërisht askush s’ngulmon, që mafies tone, deri në fund, t’ia nxjerrë sheshit përmasat e vërteta.
Nuk e bën këtë as politika as mediat përplot analizash të zhurmshme, as institucionet e drejtësisë, as shoqëria civile, gati për të besuar se kemi të bëjmë me një si pakt të heshtur me atë që e ka ndarë dysh popullatën: në të pasur dhe në të varfër, për të mos thënë, në shumë të pasur dhe në shumë të varfër.
Të parët, jo pa lidhje me mafien dhe politikën, forcohen me pushtetin përbindësh të lekut, të dytët ndërsa shtrijnë dorën e lypësit, dhe, që të gjithë mësohen, përkatësisht mësohemi me ta.
Këtë botë të nëntokës shqiptare sjell në romanin e vet “Perandorët” Majlinda Rama, të barrikaduar dhe të rrënjosur në një qytet të Shqipërisë dhe shqiptarisë, dhe që mund të jetë, përkatësisht që është çdo qytet i jonë.
II.
Po të vazhdoja me veçantinë e radhës së përshtypjeve, do sillja përkatësinë gjinore të autores së romanit, meqë, për një cast, më erdhi të shqiptoj refleksin, ja, përsëri një krijuese femër, meqë vetëm disa muaj përpara pata lexuar romanin “Kukullat nuk kanë atdhe” të Flutura Açkajt, gjithnjë po, në këtë temë, me nëntokën e mafias shqiptare dhe, më tej akoma, njërin nga romanet e Elvira Donesit “Yjet nuk vishen kështu”, dhe, në këtë radhë formati ulëritës, nuk m’u kujtua asnjë emër shkrimtari mashkull. Pikërisht, mes sundimit të heshtjes, të mungesës së një zëri të madh, të artikuluar fuqishëm, që do të daraviste tymnajën që ia fsheh fytyrën e vërtetë mafies shqiptare, po dëgjohet klithja, alarmi më ulëritës i shkrimtares shqiptare.
Dhe pse, pikërisht ato e kanë shqetësim më të parë ekzistencën e mafies shqiptare?
Mbase edhe për arsyen se preja e parë dhe më e lehtë e saj, janë pikërisht, femrat, ndërsa bosat kryesorë meshkujt.
Natyrisht zëri, klithja e artikuluar e artit romanor, me këtë rast, vënë përballë fenomenit të përçudnuar, vjen i brishtë, i papërfillshëm për pushtetin real të mafias por kuptimplotë për misionin dhe ndjeshmërinë e shkrimtarit.
III.
Përshtypja e radhës mund të jetë angazhimi. Nuk ka dyshim se, veprat e përmendura më sipër dhe ato të asaj radhe, përkatësisht autorët e tyre, janë shkrimtarë të angazhuar, krijojnë letërsi të angazhuar.
Po e përmend këtë, me këtë rast, për të sqaruar një keqkuptim apo kakofoni lidhur me nocionin angazhim, që aty-këtu dhe herë-herë është dhe mund të jetë i pranishëm në hapësirën tonë. Jo rrallë ai, angazhimi në art, identifikohet me realizmin socialist, përkatësisht me angazhimin e autorit në një ideologji apo sistem ideologjik, një kastë, një angazhim në kuptim të të qenit nën kontroll dhe dirigjim të jashtëm dhe që nuk është rasti me veprat e autorët e përmendur dhe të pa përmendur: është shqetësim i brendshëm i vetë krijuesit. Nuk është angazhim as i natyrës së bindjeve politike, i kauzave, por një ngasje e drejtpërdrejtë, e vetvetishme, e brendshme, pa kërkuar distancë të asnjë natyre, është zë i brendshëm për të mbrojtur veten dhe hapësirën nga një e ligë, e cila synon të pushtojë tërë hapësirën.
IV.
Në fakt, çfarë synon në të vërtetë, letërsia e angazhuar, përgjithësisht, edhe ajo e zënë ngoje, në përditshmërinë tonë? Segmenti kohor nëpër të cilin po ecim, zëri që vjen nga letërsia është pothuaj i papërfillshëm.
Në ambientin tonë, ku çdo gjë, thuaja e përditshme është informalizuar, është e paligjshme, ku përplasjet në të, të grupeve dhe individëve, ku interesat dhe ambiciet e tyre janë të egra, brutale, të gatshme për dhunën më mizore, natyrisht që misioni i ngarkuar në artin e fjalës vjen zë në shkretëtirë.
Përgjithësisht, misioni i fjalës gati se nuk ekziston. Edhe akuzat më të rënda të mundshme publike drejtuar njëri-tjetrit, emrat e personave publikë më të rëndësishëm, me fakte dhe argumente, denoncime, të vërteta apo shpifje, gati se nuk i merr kush seriozisht.
Të gjitha ato sikur i merr era, harrohen brenda ditës. Dhe, le të imagjinojmë tani objektivin e fjalës në art, që vjen misionare, metaforike, në një truall të tillë. Dhe ajo, ndërsa, letërsia e ka dritë të brendshme misionin, edhe atëherë kur nuk ka mision të drejtpërdrejtë temën si shqetësim dite, si ngasje konkrete, por vetëm kënaqësinë estetike që nxit, ushqen ndjenjën e të bukurës tek njeriu, ndjenjën e të bukurës dhe mirësisë, fisnikërimit shpirtëror.
Misionare në këtë frymë është arti letrar që nga Homeri dhe Eskili, Dante e Shekspiri, deri në ditët tona dhe te Kadareja.
Hallkë e këtij shkallëzimi misionar në letërsi është edhe ngasja, angazhimi i shkrimtares Majlinda Rama, njësoj si Flutura Açka, Elvira Dones etj.
Edhe pse si në shkretëtirë, zëri i këtyre shkrimtarëve, sado i pakët, i ka dëgjuesit e vet që një ditë do të jenë më me shumicë.
V.
Majlinda Rama e shmang shpleksjen fabulare të rrëfimit, tek romani “Perandorët”, nga konvencat kryesisht të njohura në rastet e lëndës romanore mafioze-kriminale, duke ofruar një zgjidhje me gjeturi, do të thosha nga poetika narrative klasike.
Në rastet më të shpeshta, siç janë edhe veprat e përmendura të Elvirës dhe Fluturës, ndëshkimi i personazheve bartëse të dhunës dhe krimit është i pa evitueshëm, qoftë nga institucionet e drejtësisë apo rretheve të afërta me viktimat, apo nga zoti etj.
Nëntoka e mafias, ndërsa, sado e plagosur, e lënduar kështu, e rrudhur për një çast, nuk asgjësohet, përkundrazi vazhdon të jetojë, pra në art si në realitet.
Por autorja e romanit “Perandorët”, nuk zgjedh ligjin për t’i ndëshkuar, ajo i “ndëshkon” personazhet e tillë, me forcën e dashurisë.
Ja, si do të përfundojnë dy të tillët: pronari i firmës që mbulon qytetin me “bamirësi”, duke punësuar nevojtarë, të cilët gradualisht vihen nën kthetrat e nëntokës, për të cilin gratë janë vetëm sa për të kënaqur epshet e tij, ky bos pra do qëllojë në femrën që ia zgjon ndjenjën, aftësinë për të dashuruar, ndjenjën që nuk e ka njohur kurrë më parë.
Ngjashëm me Kazanovën e Çehovit, kur has Zonjën me kone. Dhe përballë kësaj vajze ai do të shndërrojë natyrën e vet. Ndihmësi e tij, më mizori, ekzekutuesi i dhunës më shtazarake do të thyhet kur të zbulojë dashurinë e nënës, që s’dinte nëse e ka dhe kë ka.
Lidhur me këtë personazh autorja bën anamnezën, mbase edhe për ta shpëtuar, personazh i cili pos përbuzjes së rrethit ku është rritur pa prindër, nuk ka njohur ngrohtësi njerëzore, megjithatë kur e zbulon dashurinë amnore është vonë. Krimet që ka mbi shpatulla nuk e kthejnë në botën normale.
Kështu, forca magjike e dashurisë, në fund të romanit, sado e vonuar, sado nën peshën e krimeve të rënda, mbetet mbresë dhe shije e thellë tek lexuesi.

