Policia e Shtetit njoftoi paraditen e kësaj të mërkure parandalimin e atentatit ndaj një personi në qarkun e Beratit, i cili do të kryhej nga një grup kriminal. 3 persona u shpallën në kërkim, një nga Kosova, një nga Korça e tjetri nga Tirana.

“Në vijim të veprimeve të shpejta hetimore, të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve: -H. B., 55 vjeç, banues në Kosovë; -A. Sh., 30 vjeç, banues në Korçë; -E. G., 43 vjeç, banues në Tiranë.”

Policia sekuestroi edhe mjetet që dyshohet se do të përdoreshin në kryerjen e këtij atentati.

“Shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve të imtësishme dhe informacioneve policore të siguruara, kanë bërë të mundur gjetjen e automjetit, të një motomjeti të vjedhur, me 2 skafandra, të veshjeve të kamuflazhit (xhup meshini), të një arme zjarri automatik me silenciator, të një pistolete me silenciator dhe  të një sasie municioni luftarak. Në vijim, në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, nga kontrolli në banesën e njërit prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht në banesën e shtetasit E. G., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 radio marrëse-dhënëse, dylbi, dorashka dhe lëndë djegëse.”

Në njoftimin e saj për mediat, policia thotë se për shkak të hetimit nuk mund të japë më shumë detaje rreth objektivit të autorëve të dyshuar apo motivit.

“Për shkak të konfidencialitetit të hetimeve intensive që po zhvillohen për këtë rast, nuk mund të japim detaje të tjera mbi motivin e këtij rasti apo mbi objektivin e synuar nga autorët”.

 

Gjithçka nisi pasi policia kishte siguruar informacion për një atentat të mundshëm ndaj një personi. Kjo bëri që autoritetet të ngrinin pika kontrolli me shërbime grackë, në disa rrugë dhe fshatra ku dyshohej se mund të kryhej kjo ngjarje kriminale.

“Shtetasit që kishin planifikuar këtë atentat, në pamundësi për të realizuar qëllimin e tyre, të gjendur nën presionin e Policisë, kanë fshehur automjetin brenda të cilit kishin mjetet për kryerjen e krimit, dhe duke përfituar nga errësira, janë larguar në zona të pyllëzuara”, thotë policia.

Puna për kapjen e tyre vijon.