Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shkollë 9-vjeçare në Beograd, Serbi pasi një i mitur ka qëlluar me armë zjarri duke i marrë jetën 8 nxënësve dhe rojes, si edhe ka plagosur disa fëmijë të tjerë.

 

Mediat serbe bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Vraçar, ku një nxënës 14-vjeçar në klasë të shtatë ka vrarë rojen e shkollës dhe 8 fëmijë. Ai është arrestuar nga policia.

I mituri K. K. 14 vjeç rreth orës 8 të mëngjesit të sotëm gjithashtu ka plagosur rëndë mësuesin e historisë me armën e të atit si dhe disa të tjerë.

Sipas mediave serbe, ai kishte veshur një kapuç të zi në kokë dhe po ecte i qetë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Dyshohet se ai ka marrë një armë herët mëngjesin e sotëm dhe ka shkuar në shkollë. Në hyrje është ndaluar një roje sigurie me të cilin ka debatuar dhe ka nisur ta sulmojë atë. Më pas, ai e ka qëlluar me gjakftohtësi.