Stadiumi i ri i Korçës që do të jetë shtëpia e ekipit korçar ‘Skënderbeu’ do të ketë këtë pamje të krijuar nga studio daneze Cebra.

Kjo e fundit u shpall fituese nga juria ndërkombëtare ku merrte pjesë dhe Kryeministri në garë me një kompani italiane dhe një spanjolle.

Rama e vlerëson ndërtimin e stadiumit të ri në Korçë jo thjesht si arenën e përballjeve futbollistike si mundësi për t’u shndërruar një motor social dhe ekonomik të zhvillimit.

“Transformuar sportin në një mundësi të shtuar për turizmin duke ofruar infrastrukturë dhe logjistikë për skuadrat e huaja që të vijnë të stërviten në Shqipëri”.

Kreu i federatës, Armand Duka, nuk i kursen lëvdatat për Kryeministrin për mbështetjen që ka dhënë për sportin, por i përsërit një kërkesë të vazhdueshme për ligjin e sponsorizimeve.

“Nuk do të jetë një shpenzim i pakthyeshëm. Por përkundrazi, një investim shumë i suksesshëm”.

Por dhe Rama vlerëson me emër të përveçëm kontributin personal të kreut të FSHF, që sipas tij me zgjedhjen në Komitetin Drejtues të UEFA-s, mund të ndihmojë në ambiciet për të zhvilluar në stadiume shqiptare kompeticione ndërkombëtare të futbollit.

“Kjo e forcon edhe pozitën tonë që në 2025 ne të organizojmë në Shqipëri Kampionatin Europian të Futbollit për të rinjtë”.

Brenda këtij muaji do të zhvillohet konkursi ndërkombëtar dhe për stadiumin e ri të Durrësit dhe atij të Vlorës.