Drejtuesja e seancës së Kuvendit, nënkryetarja Ermonela Felaj pezulloi punimet e seancës plenare pas bllokimit të foltores nga deputetët e opozitës, të cilët nën fërshëllimat e bilbilave kërkojnë zhvillimin e një interpelance pas aferës McGonigal me kryeministrin Edi Rama.

Opozita kërkoi ndalimin e punimeve të seancës deri në mbërritjen e Kryeministrit.

Drejtuesja e seancës, Felaj tha se kërkesa për pyetje nga ana e opozitës në drejtim të kryeministrit ka qenë e njëjtë me kërkesën për interpelancë dhe kërkesën për mocion me debat dhe ndaj ka pasur dakordësi që të zhvilloheshin.

“Nuk ka pasur dakordësi për mënyrën, por ama që të 140 deputetët të mund të flasin dhe në kohën maksimale që parashikon rregullorja dhe këtë e provon procesverbali i Konferencës së Kryetarëve”, tha Felaj.

Deputetët e opozitës po ashtu paraqitën vërejtje në drejtim të Kuvendit, i cili nuk përfshiu në rendin e ditës së seancës një përshëndetje për Kosovën në kuadër të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Deputetja e opozitës, Flutura Açka tha se ko duhet të ndodhte për më tepër në këtë moment shumë të rëndësishëm të bisedimeve mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij i kujtoi opozitës se Kuvendi i Shqipërisë mbështet proceset e rëndësishme në të cilat është angazhuar Kosova. Por, theksoi ai, sa herë Kosova gjendet në një moment të vështirë, aty gjendet Sali Berisha për të tërhequr vëmendjen nga Kosova.

Balla tha se skenari i Sali Berishës është antikombëtar dhe se përpjekjet e tij janë për të destabilizuar Shqipërinë.

Sipas tij, Berisha duhet të harrojë destabilizmin e vendit.

Me rinisjen e seancës plenare, fjalën e morën deputetët e opozitës për procedurë. Deputeti i PD-së, Lefter Gështenja akuzoi drejtuesen e Kuvendit se i ka hequr të drejtën e fjalës deputetëve të opozitës.

“Çfarë rregulloreje po zbatoni ju? A ka ndonjë masë nga ana juaj për ata që kanë vjedhur votat? Ka deputetë të mazhorancës që kanë votuar me të dyja duart. Ne po kërkojmë që të vijë ai dhe të japë llogari dhe të thotë se jam i ndershëm, se ndoshta i kemi rënë në qafë kot. Nuk e di ku e gjeni të drejtën t’i hiqni fjalën një deputeti. Pse duhet të fillojmë me një seancë tjetër? Do të duhej që ajo seancë të vazhdonte. Të lutem ndërprite seancën, ndryshe ky Parlament kështu do të vazhdojë”, tha ai.

Deputetja Jorida Tabaku po ashtu kërkoi Ramën në Kuvend.

“Qeveria nuk mund të fshihet përjetësisht, të vijë të bëjë transparencë, të tregojë çfarë ka ndodhur në akuzën e skandalit të McGonigal. Kemi 3 javë nuk flasim për buxhetin. Njerëzit presin që ne të flasim për qytetarët. Duam të flasim për transparencë, për përjashtimin e kryetares së Kuvendit se është kërkesë e opozitës. Ta sjellim seancën në binarë. Unë besoj që jemi këtu për të folur për qytetarët, kështu që na lejoni”, tha ajo.