Pasi qëndruan para Kuvendit për më shumë se dy orë, mbështetësit e opozitës përfunduan protestën dhe iu drejtuan selisë së PD-së, ku kryetari i kësaj partie u shpreh se ky regjim duhet larguar me revolucion. Protestuesit hodhën edhe  tymuese drejt Kuvendit.

“Revolucioni marshon dhe sot para parlamentit, deputetët tanë në sallë, qytetarët në protestë, dhanë mesazhet më të fuqishme, në të cilat kërkohet largimi i Edi Ramës. Ky regjim nuk ka më asnjë ditë legjitime të qëndrojë. Ky është një regjim monist, që e ka shndërruar parlamentin, në një bunker të fjalës së ndaluar. A nuk kanë të drejtë të mësojnë se cilët janë dëshmitarët që shkuan për të dëshmuar në Europë për t’i futur thikën pas shpinës opozitës? Pra, ne çfarë kërkojmë? Ne kërkojmë të hetojmë, sepse çdo qytetar shqiptar kërkon t’i dijë këto të vërteta. Nuk mund t’i lëmë në terr”, tha ai.

Po ashtu Berisha theksoi se protesta kombëtare është më 3 mars.

“Mos harroni se në një kohë kur qytetarët shqiptarë numërojnë kafshatën, vuajnë dhe nuk u del, i nisin fëmijët në dhera të tjera, këta qeveritarë, jo këta, sekretaret e tyre mbushin dyshekët me euro. I them këto për të kërkuar mirëkuptimin e çdo qytetari shqiptar, se rrugë tjetër përveç se të bashkohemi kundër kësaj qeverie, nuk ka. Çdo ditë e tyre në pushtet nuk është ditë e mirë”, tha ai./atsh/Revista TIME