Kurimi nga tumori në zorrën e trashë zbuloi bosin e Cosa Nostra, Mateo Mesina Denaro i cili kishte arritur t’i fshihej drejtësisë për 30 vite me radhë. 60-vjeçari përdorte një dokument identifikimi të falsifikuar me të cilin ishte regjistruar në klinikën private në Palermo ku u arrestua të hënën. Mbante idetitetin e rremë të Andrea Bonafedes, siç quhej nipi i njërit prej njerëzve të tij më besnikë.
Mediat italiane shkruajnë se pasi bllokoi të gjitha hyrjet e këtij spitali privat, komandanti i njësisë speciale iu shfaq në dhomën e klinikës ku Denaro po i nënshtrohej testit të Covid-it para se të merrte kurën e radhës anti-tumorale.
Pyetjes nëse ai ishte Mateo Mesina Denaro, kryemafiozi iu përgjigj me fjalët “Ju e dini se kush jam” para se të pranonte identitetin e vërtetë pa bërë rezistencë.
Tumorin e ka në një fazë agresive. I është nënshtruar edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale në mesin e pandemisë në 2020-ën. Mjeku që e operoi ishte po i njëjti që e kuronte edhe aktualisht, Alfonso Tumbarelo 70 vjeç, i cili kishte një vit që kishte dalë në pension.
Ai është vënë nën hetim pasi pretendonte se nuk e njihte, por përgjimi nga policia i telefonatave mes tij dhe pacientit çoi në zbulimin e bosit të mafies siçiliane. Habi ka shkaktuar fakti se gjatë kontrollit në banesë në periferi të Palermos, Mesina Denaros nuk iu gjet asnjë armë.

