Një zyrtar që punonte për Forcat Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar është arrestuar pasi dyshohet se vetë ai është një emigrant ilegal.

Emri i zyrtarit ende nuk është bërë i ditur, ndërsa thuhet se ai është me origjinë nga një vend i Ballkanit. Ai u arrestua ndërsa punonte për agjencinë e Home Office, përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të Mbretërisë së Bashkuar. Shefat e tij mësohet se kanë vepruar shpejt sapo u ngritën dyshime për statusin e tij, raporton The Sun.

Ky rast i çuditshëm ndodh në një kohë kur qeveria britanike po mundohet të godasë emigracionin e paligjshëm ku vetëm këtë vit kanë kaluar 45 mijë anije të vogla. Daily Mail shkruan se zyrtari është nga Ballkani dhe ka shkruar në Britani 20 vite më parë. Media britanike përmend edhe shqiptarët.

“I dyshuari është mbi 30 vjeç dhe ka mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar rreth 20 vite më parë nga Ballkani. Dyshohet se ai ka gënjyer për dokumentet e origjinës në mënyrë që të fitonte të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, më vonë shkoi të punonte për Zyrën për Çështjet e Brendshme. Gjatë viteve 1990 qindra shqiptarë pretenduan në mënyrë false se ishin nga Kosova në mënyrë që të fitonin azil”, shkruan media britanike.

Më tej, media britanike shton se ky person është i përfshirë edhe në një skandal korrupsioni në Forcën e kufirit të Mbretërisë së Bashkuar.