Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në hedhjen e shortit për hyrjen në banesat e reja të 637 familjeve në zonën e Shijakut, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.
Në fjalën e tij, Rama nuk e fshehu kënaqësinë që qeveria e drejtuar prej tij arriti të përmbushte projektin e rindërtimit, duke strehuar familjet që humbën banesat.
Ne arritëm që një fatkeqësi të madhe ta kthejmë një mundësi të re për njerëzit e prekur prej saj. Ndjejmë keqardhje të thellë për ata që humbën jetën, për familjet e tyre që s’ka shtëpi e pasuri që ua kthen njerëzit e dashur që humbën, por ama për mijëra familje të tjera ndihemi vërtetë krenarë që ja dolëm e po ja dalim përditë që t’i strehojmë dhe shumicës dërrmuese prej tyre t’u bëjmë të mundur një shtëpi shumë më të mirë. Padiskutim në një lagje që s’ka krahasim me atë që ishim nga të gjitha pikëpamjet”.
Kryeministri theksoi se shtëpitë do të jenë falas për gjithë banorët e prekur, ndërsa për ata që zotëronin një biznes të krijuar vetë dhe jo të përfituar me privatizimin në vitet ’90 në katet e pallateve, nuk do të mund ta marrin sërish.
“Sipas rregullit të vendosur dhe kriterit të qartë, kush ka pasur njësi shërbimi më parë nga njësitë e shërbimit të përfituara me privatizimin e fillim viteve ’90, do të rimarrë atë që ka pasur. Ndërkohë që kush ka bërë një njësi shërbimi duke çuar pallatin, do marri vetëm shtëpinë dhe s’mund të marri njësinë e shërbimit”.
Rama theksoi se apartamentet në Shijak, siç ka ndodhur edhe në zonat e tjera të prekura nga tërmeti, do të jepen me short.
“Lagjia do të jetë vërtetë një lagje e re, një lagje me sens komuniteti dhe me sens solidariteti social. Të gjitha apartamentet e ndërtuara në gjithë Shqipërinë jepen me short në mënyrë transparente. Në të gjitha rastet shorti i vendos ku të bie shtëpia. Ka përjashtim vetëm për personat me aftësi të kufizuar”./Revista Time/ xh.m

