Piktori, arkitekti, studiuesi dhe shkrimtari Maks Velo është përkujtuar sot në ditën e lindjes (31 gusht 1935).
Pas lindjes së tij në Paris, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë.
Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaroi gjimnazin, Maks Velo vazhdoi studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit.
Më pas u specializua për arkitekturë dhe në vitin 1960 mori pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës.
Vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, u arrestua dhe u dënua me dhjetë vjet burg.
Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura” etj.
Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar. Maks Velo la një gjurmë të pashlyeshme në emanicipimin dhe zhvillimin e artit shqiptar./atsh



