FUSTANVERDHES
Ngjitu mallit tim
Si në të vertikales ngrehinë
Lart shkimit të pres
Të (më) pikturohesh e tëra
Me atë shikim kaltërie
Me fustan verdhësie
S’do të lë ta braktisësh
Tonën ndjesi
As në mot me diell
As me shi
Je e imja Fustanverdhë
Që dashuri në mua derdhë
VARG I SHKRIRË
Një varg (sot) u shkri në këngë
Si ndjenjë e palosur në timin shpirt
Nga lart seç më vështron thekshëm
Fustanverdha
E më përthekon me (një) buzëqeshje
Ç’zë i ëmbël pushton
Të dashuruaren (z)emër
Ah…atë femër
Që më shprish të gufuarin mallë
E Fustanverdha hapë të bardhin shpirt
Për t’u bërë dysh
Në arenën e zjarrtë të dashurisë…
ERDHI E SHKOI…
Erdhi tok me ditën e bekuar
Si në ëndërr…
Ma hoqi sysh perden e gjumit
Si me dorë
E u shkri në mua me atë buzëqeshje
Unë e derdha (tërë) shikimin
Drejt asaj (Fustanverdhës)
E ajo para meje qëndroi vertikal
Si një engjëll
Në gjerësinë e fushës së heshtjes
Erdhi e shkoi
Shkoi dhe erdhi me atë buzëqeshje
Si të ishte një legjendë përrallore
I KTHEHEM FUSTANVERDHES
Pas një shkëputje
Si të muzikës sinkopë
I kthehem asaj përralle të gjatë
Portën s’ia kisha mbyllur ëndrrës
Por (ajo) ishte e zënë
Me disa hije çoroditëse
Në një skaj të kujtesës
Seç më shfaqej fustani i verdhë
Në mes lulekuqeve të kopshtit
Vertikalja e saj ishte ngritur
Si një lis (i ri) trupgjatë
Me portretin e një engjëlli urtak
Shkëputjen s’e deshta (as)njëherë
Por s’di sesi m’u shkëput
Një kohë nga shikimi im i turbulluar
(Tani) iu ktheva Fustanverdhës
Tok me një të falur deri në përulësi
Për (ri) kthim të saj
Nëpër gjithë ëndrrat e munguara
PAPRITUR MË ERDHI
Si ta (sh)prishi heshtjen e kalamendur
Atë urtake të urtë e të heshtur
Që rrin në një skaj të dhomës së errët
Nuk bëzajë unë (si) hija e ndjekjes
Nëpër shtigje saherë të zëna
Për ta ç’montuar
Heshtjen e trashur nga heshtja
Ajo shpërtheu si një balon i fryer
Kur e imja hije nuhati erën e saj
Aromë dashurie…
Dhe s’u ngop(a) dot ngela peng i urisë
Për një puthje buzëve të Fustanverdhës
Dhe një shikim zhbirues drejt të syve të saj
Ajo i zhveshi shtatë bukuritë engjëllore
Posi ngjyrat e ylberit
E i shkarkoi brenda rrethit të shikimit tim
Aty pashë një botë të përtejme
Të luluar me nuanse që m’i robëruan sytë
Si një magji përrallore e dashurisë
Më erdhi krejt papritur
Me një bagazh bukurie të ngjeshur
Si një hije e (pa)dukshme
U vërsul drejt pikës zero të buzëve të mia
DUROVA…
Durova derisa durimi në lot u shkri
E zjarrmia si akull u ngri
Në faqe të almanakut
Fustanverdhës ia shkrova pritjet
Koha me kohën i ndërronin vendet
Dhe i binin shuplakë njëra-tjetrës
Durova sa mund të durohet
Si një cung i ngelur në errësirë
KU TA ZBRAZ SHIKIMIN…
S’di ku t’i zbraz pamjet diku trupit tënd
Mbështjellë me fustan të kuq
E me pikla të bardha
Apo fytyrës tënde të buzëqeshur
Që përthekohet nga kokërdhokët e syve të mi
S’di si t’i zbraz ofshamat e mbledhura
Brenda gërfyellit të fytit tim
Kur për një çast m’i ndali habia
S’ka më asnjë pikë kontrolli
Se kudo më ndjek ajo hije (e Fustanverdhës)
Që me një shikim më përpin dashurisht…
JE LARG
Je larg veç për një thirrje
Për një zë kënge
Se na ndan fija e kujtesës
Dhe ëndrra e (pa)parë
Për buzëqeshje të diellt
E përqafimi të munguar
Larg je për një fjalë
Që ndërron stinë
Dhe pikon puthje
Nga streha e dashurisë
NË SHTRATIN E NATËS
U shtrive në shtratin e natës
Me çarçafin ngjyrë hëne
Terri ishte mbuluese
E trupit tënd të lumnuar
Në mesnatën e gjatë
Pahiten
Ca skena të ëndërrta
Sikur puthja e lehtë
Në shpinë të ajrit freskues
Prapë u shtrive
Edhe brenda kujtesës sime
Si një nimfë e bukur mali
AJO DORË…
Ajo dorë një ditë ma preku ballin
Dhe papritur ma hoqi zjarrminë
Një kohë të gjatë e ruajta atë freski
Sikur puthjen kthinave të kujtesës
Zjarrmia shpesh sillet e pështillet
Rreth trupit tim qullë të djersitur
Dora jote ka kohë që më mungon
Të ma flladit ballin tim të kallur
Po u kthye ai vullkan përvëlues
Në brendi të trupit tim të lodhur
Ku ta gjej tani atë prekje mikluese
Që shuan zjarrmi e nxit dashuri

