1. Lidhja simbiotike kulturë dhe turizëm

Për mijëvjeçarë, kultura ka qenë një pjesë integrale e udhëtimeve dhe turizmit. Udhëtimi në vendet kulturore dhe historike, si dhe në festivale, shfaqje dhe ngjarje është regjistruar që nga antikiteti. Megjithate, deri ne fund te viteve 1990-te, turizmi shihej kryesisht si një industri e mirë me pak ndikim negativ mjedisor, social, ekonomik ose kulturor.

Kjo mungesë e planifikimit dhe e qëndrueshmërisë së turizmit ka rezultuar në dëmtime kulturore, ekonomike dhe ekologjike në shumë destinacione turistike ne bote, Evrope dhe edhe ne Ballkan. Si një mënyrë për të adresuar këto probleme, lidhja simbiotike kulture&turizem i ka sherbyer vendeve, qeverive dhe veprimtareve lokale, si dhe donatoreve ndërkombëtare që të krijojne ose mbeshtesin politika që synojnë rritje të planifikimit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të turizmit, nepermjet zhvillimit te produkteve kulturore.

Kultura dhe turizmi kanë një marrëdhënie të ndërsjelltë të dobishme, e cila mund të forcojë atraktivitetin dhe konkurrencën e rajoneve, shteteve dhe lokaliteteve. Kultura po përbën një element gjithnjë e më të rëndësishëm të produktit turistik, pasi krijon veçori në një treg global të mbushur me veprimtarë dhe oferta. Në të njëjtën kohë, turizmi ofron një mjet të rëndësishëm për rritjen e kulturës dhe krijimin e të ardhurave, të cilat mund të mbështesin dhe forcojnë trashëgiminë kulturore, prodhimin kulturor dhe krijimtarinë në tërësi.

Kultura dhe turizmi janë të lidhura për shkak të sinergjive të tyre të dukshme dhe potencialit të tyre të rritjes. Turizmi kulturor është një nga tregjet globale më të mëdha dhe më të shpejta të turizmit  sot, ndërsa sektorët kulturorë dhe krijues po përdoren gjithnjë e më shumë për të promovuar destinacionet turistike.

  1. Fondet e BE-së për kulturën&turizmin

Bashkimi Evropian ka një mori fondesh dhe programesh për të ndihmuar zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit nëpërmjet ofertës kulturore, në vendet anëtare dhe kandidate. Këto fonde dhe programe variojnë nga ato në nivel qendror, të menaxhuara nga strukturat e Komisionit Evropian në Bruksel, tek ato rajonale dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, të cilat kanë një menaxhim të decentralizuar, ku roli i vizionit dhe nismave të bashkive ndërkufitare është shumë i madh.                      .

Ndër fondet qendrore, përmendim programin “Horizon 2020” (https://ec.europa.eu/programmes/horizon2020/en/what-horizon-2020 ), programi më i madh i BE-së për kërkimin dhe inovacionin, i cili mund të mbështesë nisma inovative në fushën e ndërthurjes së ofertës turistike rajonale me produktet inovative kulturore; Programin e Fondit  Evropian të Zhvillimit Rajonal (ERDF- https://ec.europa.eu/regional_policy/en/funding/erdf/); Programin e Fondit Evropian të Bujqësisë për Zhvillimin Rural (https://ec.europa.eu/info/food-farming-fisheries/key-policies/common-agricultural-policy/rural-development), atë të peshkimit, etj.

Bashkitë tona, si Durrësi (e angazhuar në projektin TourisMed), por sidomos Fieri, kanë krijuar tashmë një eksperiencë të vyer në realizimin e programeve rajonale, me partneritete të krijuara në rajone ndërkufitare të Italisë së Jugut, Shqipërisë dhe Malit të Zi, në kuadër të Programit gjithëpërfshirës rajonal të BE-së me titull “INTERREG 2014-2020”. Përmendim aktivitetet e shumta në ndihmë të turizmit kulturor për bashkinë Fier, të organizuara nga Projekti “Tournee” i Programit  “INTERREG 2014-2020”, të kurorëzuara me një spëktakël madhështor në Apolloninë e Fierit në shtator 2020, në formën inovative të një koncerti dhe komedie muzikore dhe teatrale. Programi i ri “INTEREG 2021-2026”, që do të prezantohet në Barleta të Italisë në mars të këtij viti, do të ketë ide dhe projekte të reja në fokus, si ai i Rivitalizimit të Rrugës antike Egnatia që përshkon Durrësin dhe Fierin, etj.

  1. Kultura dhe turizmi: udhëtim drejt shërimit të shpirtit dhe ekonomisë!

Përdorimi në rritje i kulturës dhe krijimtarisë në destinacionet e tregut turistik po shton gjithashtu presionin e diferencimit të identiteteve dhe imazheve rajonale.

Partneriteti është thelbësor në këtë situatë. Kompleksiteti i sektorit të turizmit dhe kulturës nënkupton që duhet të krijohen platforma për të mbështetur bashkëpunimin dhe duhet të gjenden mekanizma për të siguruar që këta dy sektorë të mund të komunikojnë në mënyrë efektive. Komunitetet lokale kanë filluar të bashkohen për të zhvilluar produkte kulturore për turizmin. Shembulli më i qartë për këtë është Bashkia Fier në organizimin e aktiviteteve të Projektit “Tournee”  të Programit “INTERREG 2014-2020”.

Politikat e reja duhet të shfaqin struktura dhe projekte të reja që përfshijnë partneritetin publik-privat , duke sjellë së bashku një gamë më të gjerë të palëve të interesuara për të përdorur kulturën jo vetëm për t’i bërë destinacionet turistike tërheqëse për vizitorët, por edhe për të promovuar rajone si destinacione për të jetuar, punuar dhe investuar.

Kultura në të gjitha format e saj do të përfshihet  fuqimisht në produktin e turizmit dhe promovimin e shumicës së rajoneve, madje edhe ato që tradicionalisht janë mbështetur në pasuritë e tyre natyrore, të tilla si dielli dhe plazhi, ose malet.

Nxitësit kryesorë për zhvillimin e politikave të kulturës dhe turizmit janë rritja dhe ruajtja e trashëgimisë, zhvillimi ekonomik dhe punësimi, rigjenerimi fizik dhe ekonomik, forcimi dhe / ose diversifikimi i produkteve të turizmit, mbajtja e popullsisë, zhvillimi i mirëkuptimit kulturor dhe agro-përpunimit si nënprodukt i turizmit ushqimor për ekonominë lokale.

Kultura krijon vërtetësi dhe veçori në tregun global të turizmit. Në këtë drejtim, “përvojat e turizmit” që mund të lidhin njerëzit dhe vizitorët me kulturat lokale janë shumë të rëndësishme. Në shumë raste, tematika e destinacioneve lidhet gjithashtu me ngjarje specifike kulturore (p.sh. të lidhura me vende të famshme, njerëz ose ngjarje historike, kalendari i festave tradicionale, p.sh. për Bashkinë Fier, etj.).

Përfshirja e bashkësive lokale është një faktor i rëndësishëm për kënaqësinë e vizitorëve dhe një parakusht për zhvillimin e produktit turistik. Komunitetet lokale nuk janë vetëm nikoqire të turizmit, por ato gjithashtu marrin pjesë drejtpërdrejt në përvojën e turizmit, duke ndihmuar në përcaktimin e ndjenjës së vendit dhe atmosferës së rajoneve. Mbështetja e komunitetit lokal ka provuar të jetë thelbësore në zhvillimin e përvojave kulturore për turistët.

Rajonet po krijojnë aleanca specifike të marketingut për të shfaqur mundësitë e turizmit kulturor, dhe në disa raste, rajone të ndryshme kanë filluar të punojnë së bashku. Interneti është bërë një mjet pothuajse universal i marketingut në vitet e fundit, i cili ofron mundësinë që turistët të paketojnë vendet kulturore dhe ngjarjet me akomodim dhe udhëtime.

Rajonet më të suksesshme kulturore dhe të turizmit duket se janë ato që arrijnë të drejtojnë grupe përfshirëse të palëve të interesit, si nga sektori publik ashtu edhe nga sektori privat, në zhvillimin dhe marketingun e një game të gjerë burimesh kulturore dhe krijuese për turizmin. Këto burime gjithashtu priren të zhvillohen në një mënyrë të tillë që ato shtojnë, në vend që të pakësojnë, veçorinë rajonale dhe nënvizojnë kulturën autentike dhe shprehjet krijuese të rajonit

Destinacionet më të suksesshme janë ato që njohin implikimet më të gjera të marrëdhënies midis turizmit dhe kulturës, veçanërisht në drejtim të tërheqjes së banorëve të rinj dhe investimeve të brendshme. Ka prova në rritje që kultura-arkitektura shpirtërore e njeriut dhe turizmi-burim rritjeje për ekonominë,  mund të veprojnë si një kombinim i fuqishëm për të tërhequr njerëz dhe investime në ekonominë rajonale.

  1. Rruga Egnatia”: projekt prioritar-madhor-strategjik

Projekti per rigjallërimin e 263 kilometrave te rrugës antike “Via Egnatia” (pjeses ne Shqiperi), si një produkt turistik, eshte padyshim nje projekt sa prioritar, aq madhor e strategjik.

Projekti do te synoje kthimin e rrugës antike në një atraksion të vërtetë historic dhe kulturor, duke ofruar ne fushendalimet e saj evente kulturore dhe artistike, në gjurmët e së shkuarës, të betejave të përgjakshme, të besimeve të mëdha, por edhe të vetvetes.

Ideja e udhëtimit në rrugën e famshme “Egnatia” nuk është e re.

Disa historianë me emër kanë udhëtuar në gjurmët e saj me qëllim identifikimin, por më së shumti për të shkruar mbi ngjarjet historike që kanë ndodhur në këtë rrugë antike.

Emra të njohur si konsulli Pouqueville apo studjuesi Hammond janë munduar ta ndjekin Via Egnatian në segmente të ndryshme të saj, duke na lënë pas përshkrime shumë interesante.

Po kështu, disa arkeologë shqiptarë, si prof. Ceka apo Llazër Papajani kanë kontribuar shumë në njohuritë tona mbi Via Egnatian dhe segmentin që përshkon Shqipërinë. Ka me dhjetëra shkrime mbi rëndësinë e Via Egnatias përgjatë periudhave të ndryshme historike.

Burime që nga antikiteti e deri në Mesjetë na sjellin ngjarje nga më interesantet që kanë të bëjnë me Via Egnatian. Lufta Civile midis Çezarit dhe Pompeut u bë më së shumti përgjatë Via Egnatias.

Projekti “Rigjallerimi i Via Egnatias në Shqipëri” do të ofrojë udhëtimin në kohën e sotme në këtë rrugë, duke synuar rikthimin e saj në një atraksion të madh për Shqipërinë. Imagjinoni se çfarë do të thotë të ecësh në gjurmët e legjioneve romake, kryqtarëve apo misionarëve islamë, tregtarëve të Venedikut, filozofëve lindorë apo kronikanëve si Çelebiu që e përshkruan me mjaft kolor udhëtimin në viset shqiptare nëpërmjet Via Egnatias.

Sipas modeleve evropiane të itinerareve historike si Via Frangigena, apo itineraret e Santiago de Compostela, Via Egnatia mund të shndërrohet në një arterie të rëndësishme turistike me një impakt ekonomik në zonat rurale, të cilat sot janë të përjashtuara gjeografikisht nga çdo zhvillim i turizmit.