Portreti i famshëm i Marilyn Monroe nga artisti Andy Warhol u shit për 195 milionë dollarë në ankand.“Shot Sage Blue Marilyn” është pjesë e  një seri portretesh që Warhol i bëri aktores pas vdekjes së saj në 1962 dhe që atëherë është bërë një nga pjesët më të njohura të artit.

Vlerësimet e para-shitjes kishin arritur deri në 200 milionë dollarë. Portreti është bërë vepra më e shtrenjtë e një artisti amerikan që shitet në ankand. Rekordi mbahej më parë nga një pikturë  e vitit 1982 nga Jean-Michael Basquiat, e cila u shit për 110.5 milionë dollarë në 2017.

“Shot Sage Blue Marilyn” është bërë gjithashtu vepra më e shtrenjtë e shitur ndonjëhere e artit të shekullit të 20-të. Rekordi i mëparshëm u vendos në vitin 2015 kur një pikturë e vitit 1955 nga Pablo Picasso – Les Femmes d’Alger  – u shit për 179.4 milionë dollarë.

Piktura është ndërtuar mbi një foto promovuese të Monroe nga filmi “Niagara” i vitit 1953, shfaqur me ngjyra të ndezura mbi sytë, flokët dhe buzët e saj. Titulli  i referohet një incidenti në të cilin një grua përdori një pistoletë për të qëlluar  katër portrete të aktores në studion e Warhol./Xh.M