Një pyetje: Vepra Juaj në proces!

Krijuesit gjithmonë ngacmohen të flasin për temën dhe thellësinë e saj, si shtyllë rreth së cilës shtjellohet tërë subjekti i krijimtarisë së tij. Asnjëherë nuk kërkohet prej tij të flasë për frymëzimin! Jo për frymëzimin si bukuri, por për frymëzimin si liri, si mjet që veprën e krijuesit e çliron nga koha, duke e bërë të pavdekshme! Fundja, ky është synimi i çdo krijuesi gjatë procesit të vet krijues – të sjellë diçka që duhet gjithsesi ta sfidojë kohën!
Na e përshkruani frymëzimin tuaj për veprën që e keni në proces, dy-tri fjalë për veprën tuaj të radhës që pret të shohë dritën. Ç’liri po ju kërkon aktualisht frymëzimi e, ç’liri jeni në gjendje t’i siguroni ju në këtë kohë ku çdo gjë po bëhet pengesë krijuese, madje edhe vetë koha!/HEJZA

Tema e lirisë së frymëzimit, seç më kujton Cvajgun, i cili, tek ‘E fshehta e Bajronit’, thotë diku se akuzuesit e Bajronit ishin tre, e para – gruaja, e dyta – Anglia dhe i treti, më i rrezikshmi, ishte vetë Bajroni. E përmenda këtë për të theksuar që liria e frymëzimit nis dhe përfundon me vetveten, sepse në logjikën time, autocensura është liria e privuar, më tepër sesa atë që ta imponon koha, hapësira, kushtet sociale etj.
Unë gjykoj se, më tepër sesa proza, poezia është ajo që favorizohet nga shkreptima e dritës së menjëhershme hyjnore, pra, frymëzimit. Ajo kërkon atë ndjenjën ekspresive, dinamike, atë që e çon krijuesin në euforinë e krijimit. Kuptohet, kur kujtojmë kryeveprat e gjenive, natyrisht që shohim tek ata shpërthimin e forcës magjike, atë fuqi magjepsëse që e lidh botën e njeriut me atë të mbinjeriut në kuptimin e talentit. Pra, zanafilla nis aty tek frymëzimi, por proza, mendoj, është edhe formë të ushtruari, është mendim, strukturë, teknikë, punë sistematike, pra diçka më e shtruar se ‘kërcimet’ e frymëzimit.
Përsa i përket krijimtarisë sime letrare… Unë i dorëzohem frymëzimit, prandaj edhe nuk shquhem për ndonjë punë sistematike, në kuptimin që ta nis një libër dhe të punoj për ta përfunduar atë. Shkruaj kur ngacmohem. Një ditë frymëzohem për një poezi, një ditë merrem me leksionet e studentëve, një ditë prozë, një ditë shkruaj mbi një libër a mbresë, që më ka mbetur nga një lexim, etj. Kjo, në fakt, ma lehtëson punën krijuese, sepse më jep frymëmarrje, një lloj lirie të brendshme, por edhe ma vështirëson nga ana tjetër, sepse, kur e rimarr një punë, po i referohem kryesisht prozës së gjatë, bëhem edhe më tepër kritike me veten dhe këtu nis të shfaqet zëri i autocensurës, vrasësit të frymëzimit/lirisë. (Për shembull, këto pesë – gjashtë vitet e fundit, kam mbyllur tri dorëshkrime (romane), të cilat ende nuk kam vendosur t’i ndaj me lexuesin…) Por, natyrisht, veç kësaj që përmenda, që është shumë personale, rënia në kontakt me frymëzimin është fat dhe padyshim që hyn tek gëzimet e krijuesit, sepse i lë atij një shije apo një mendim të mirë, se ka zbuluar botën dhe njëherësh ka mbërritur tek njohja e shpirtit.
Përsa i përket procesit të çlirimit nga koha…Në vetvete, vetë frymëzimi është çlirues, sepse e zhvesh krijuesin nga konvencat, nga vetëkontrolli që përmenda më lart, nga rregullat e shoqërisë… dhe e shtyn atë drejt ideve të përsosura, apo e çon në ide të reja për të trajtuar ngjarje të mëdha, të cilat e çlirojnë vetë veprën nga zinxhirët që vë koha. Prandaj krijuesi duhet të jetë tërësisht i shkëputur nga e përditshmja që ia vret frymëzimin, të bëhet distant nga koncepti i moralit, i të bërit të njeriut të mirë, të çlirohet nga dogma, nga pikëpamjet e masës, nga imponimi i mendimit të ngjarjes me fund të lumtur, nga ideja se vepra e tij duhet të bëhet patjetër vepra e edukimit të madh apo i mesazhit të madh. Këto gjëra, thjesht e vrasin lirinë krijuese, e shtypin dhe e kufizojnë atë. Frymëzimi është uragan, duhet pritur si i tillë, duhet lënë të veprojë!