“Ballo me maska” e shkruar nga kompozitori italian Giuseppe Verdi u ngjit mbrëmjen e djeshme në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në kuadër të Javës së Kulturës Italiane.

Publiku kryeqytetas, i cili kishte mbushur sallën e TKOB, duartrokiti interpretimin e artistëve të huaj dhe vendas .

Në shfaqje ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila shprehu vlerësimin për këtë shfaqje emocionuese.

“Duartrokitje dhe mirënjohje për regjisoren italiane Mariana Bianchi, trupën tonë të solistëve, këngëtarët e ftuar, korin nën drejtimin e Dritan Lumshit, orkestrës nën dirigjimin e Deniola Kurajës dhe pa dyshim miqve tanë të Teatrit të Regio di Parma, që sollën në Tiranë skenografinë e restauruar të vitit 1913”, u shpreh Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Për vënien në skenë të veprës më të vjetër të teatrit kanë punuar artistët e teatrit Regio di Parma si dhe  artistët shqiptarë. Kjo shfaqje është konkretizimi i protokollit të bashkëpunimit mes dy teatrove.

Giuseppe Verdi u lind në Le Roncole, në 10 tetor të vitit 1813. Verdi shfaqi që në vogëli talentin e tij të jashtëzakonshëm për muzikën. Në formimin e tij kulturor influencë pati frekuentimi i bibliotekës së pasur të shkollës së Jezuitëve në Busseto.

“Ballo me Maska” do të shfaqet edhe në datat 2,3 dhe 4 qershor në skenën e TKOB./Xh.M