Në rrymën e gjerë të trajtesave mbi sistemet sociale dhe politike në shoqëritë bashkëkohore, meritojnë vëmendje të veçantë shqyrtimet mbi parimet se si funksionon dhe sa qëndrueshmëri ka demokracia dhe fenomenet shoqërore që lidhen me të, siç janë, besimi qytetar, stabiliteti, të drejtat dhe liritë, transparenca, pluralizmi, qeverisja, proceset politike, klasat shoqërore, përfshirja, etj. Një ndër këto kontribute të rëndësishme është edhe libri “Politika si ide”, i intelektuales dhe politikanes, Valentina Leskaj, i cili nxjerrë në dritë aspekte të tjera që pasurojnë qasjet ekzistuese, por edhe sjellin një perspektivë të re, më të veçantë.

Ky libër, siç e thekson edhe vetë autorja, përfaqëson një udhëtim reflektues. Titullohet “Politika si ide”, por nuk është vetëm ide, është më tepër se kaq, sepse thellohet dhe analizon çështje tejet thelbësore, mbi lirinë e qenies dhe demokracinë e shoqërive. Hapet me një shprehje të Vaclav Havel, “Me fjalën demokraci nuk kuptojmë vetëm sistemet, institucionet dhe marrëdhëniet midis tyre, kjo është demokracia teknike, por në radhë të parë ajo është marrëdhënie me botën dhe shoqërinë, mënyrë mendimi, shpirti i jetës publike. Teknologjia e demokracisë është e pakonceptueshme pa kulturën demokratike”, që e zhvendos konceptin e demokracisë përtej mekanizmave formalë institucionalë, duke e përkufizuar atë si një kulturë mendimi dhe shpirt të jetës publike. Me këtë devizë, qysh në hyrje, Leskaj e paralajmëron lexuesin për një dritare të re mbi kuptimin e politikës, në një dimension shumë më të hapur.

E njohur për angazhimin aktiv në disa rrafshe, Valentina Leskaj, me këtë botim plotëson profilin e një intelektualeje që lëvizë natyrshëm në sferën publike dhe politike dhe ndëton ura komunikimi me një spektër të gjerë, (përmes formave të ndryshme të ndërveprimit), ku, ndër më të rëndësishmet, mbetet edhe forma e librit, si medium mendimi dhe dialogu.

Gjithë çfarë perceptohet gjatë leximit të librit “Politika si ide”, është reflektimi mbi marrëdhëniet tona në raport me politikën dhe jetën shoqërore, mbi mënyrën se si i kemi kuptuar dhe si duhet t’i rimendojmë gjërat (që shpesh na duken të thjeshta). Ky libër është për ata që kërkojnë të kuptojnë më shumë, që pyesin më shumë dhe që duan të marrin pjesë në mënyrë më të vetëdijshme në hapësirat sociale.

Strukturuar në disa pjesë/kapituj të dallueshëm, gjithë libri paraqet një tablo të gjerë të realitetit tonë dhe sjell mendime në mënyrë kritike mbi shumë zhvillime, por, duhet thënë se rrëfimi, (i ndërtuar mençurisht si dialog), nuk është thjesht autobiografi apo analizë teorike, por një dialog i hapur, i gjallë, një thirrje për më shumë vetëdije. Autorja ka ditur të gjejë një shteg të ngushtë ku të kryqëzojë disa rrugë: eksperiencën vetjake, zhvillimet kyçe të vendit, ndryshimet dhe proceset e rëndësishme të shoqërisë shqiptare, mendimin dhe lëvizjet në rang global, duke i lidhur ato me sfidat dhe mundësitë që përballen individët dhe shoqëritë, (në një botë gjithnjë e më kozmopolite, por edhe më të transformuar).

Para se të thellohem në përmbajtjen e librit, dëshiroj të trajtoj një aspekt të rëndësishëm që lidhet me strukturën e tij: Leskaj, e bindur se forma dialoguese e bën tekstin më të drejtpërdrejtë dhe më tërheqës për lexuesin, e shmang rrëfimin klasik autobiografik, i cili mund të kishte rezultuar i ngarkuar ose monoton dhe, në vend të një kujtese lineare, ajo zgjedh të ndërtojë një dinamikë komunikative, me pyetje-përgjigje, ku zëri i intervistueses (Bardhylit) krijon tensionin e nevojshëm për të thyer rutinën. Kjo strategji narrative, jo vetëm që gjallëron rrëfimin, por edhe e zhvendos leximin nga intima personale tek analiza e përgjithshme, sepse përmes këtij formati ambig, (herë rrëfim, herë pyetje), e intervistuara (Leskaj) dominon, bëhet orientuese dhe udhëheqëse për tema të mëdha politiko-shoqërore, tema shpesh të nënvlerësuara, anashkaluara apo keqinterpretuara, që nis nga roli i grave në politikë te grupet e margjinalizuara, nga funksionimi i demokracive të brishta te mekanizmat e pushtetit dhe proceset vendimmarrëse në shoqëritë post-totalitare, nga shoqëritë e centralizuara te ushtrimi i së drejtës, sjellja ndaj gjinisë së butë, etj. Një tjetër zgjedhje teknike që e bën leximin tërheqës deri në fund, pa e humbur shkëlqimin, është edhe fragmentarizimi/ ndarja në kapituj, si një mundësi që shmang çoroditjet që sjellin librat voluminozë për tema të cilat, shpesh bëhen burime reference vetëm për një komunitet të caktuar.

Që të mos zgjatem me formën, Valentina Leskaj shpalos me kujdes një sërë çështjesh (siç e përmenda më lart), çështje si ajo e gruas në veçanti, lëvizjet feminist në përgjithësi, të drejtat e njeriut, liria e fjalës, mendimi dhe lëvizja e lirë, humanizmi politik, sfidat e shoqërive civile, sistemet politike, shoqëritë tranzitive, etikën dhe kulturën politike, shoqëritë e centralizuara, krizat demografike, sfidat e komunikimit publik dhe politik, rolin e gjuhës në shërbim të bashkimit, urrejtjen si sjellje dhe akt dhune (personale dhe kolektive), historitë dhe fatet e vendeve ish-komuniste, etj.

Nga të gjitha anët që ta shohësh këtë libër, vihet re se lajtmotivi dhe linja bosht e tij, që e shtyn Valentina Leskajn të analizojë, të kërkojë rrugë, të japë ide, të ngrejë hipoteza, të ofrojë teza dhe të ballafaqohet me realitetin, është liria. Liria mëtohet si një betejë për t’u fituar, por edhe për t’u ruajtur, si betejë për t’u menaxhuar, si fazë maturie e mbërritjes, por edhe si përgjegjësi për të mos u shpërdoruar. Qysh në kapitullin e parë, pjesën hyrëse të librit, me trajtimin që ajo sjellë për gratë, për lëvizjet e tyre, në Shqipëri dhe në botë, për dëshirën dhe mundësitë, për luftrat e vockla dhe të mëdha, ajo parashtron mundësi për hapësira lirie, (çka duhet thënë se, nisma si këto, duhet të ndjehen përpara se të bëhen, sepse të tillat, nuk mund të jenë kurrë mekanike, të orkestruara, të dala nga njerëz të frustruar të politikës apo intelektualizmit, liria kërkon mendje të emancipuara, shpirtra të pakufi, njerëz të guximshëm dhe me vetëdije personale dhe kolektive).

Pikërisht, këtë bënë Valentina Leskaj, duke na treguar se ajo ka një mision në mendje dhe në shpirt. E ka të qartë, qysh në fillim, se çfarë dëshiron të trajtojë dhe, gradualisht, shpalos ide iluminuese, zhvilluese, frymëzuese dhe vetëdijësuese. Leskaj, vjen nga shoqëria civile në politikë, jo nga politika në politikë, në kuptimin e ngushtë të fjalës, pra, jo produkt i sistemit politik, por rezultat i angazhimit personal, profesional dhe shpirtëror, prandaj dhe e njeh mirë fuqinë e botës me në qendër njeriun. Sepse, duhet pranuar që, përvoja jonë, shqiptare, na ka treguar se politikanët në tërësi, sado dhe sido që vijnë nga shtresa të ndryshme sociale, profesionistë në fushat e tyre (me disa përjashtime), qenien njerëzore e kanë parë si mjet për të mbërritur synimet; shpesh, ky individ është trajtuar si një entitet mekanik, si një numër, por rrallë si një shpirt, si një qenie humane, që ndjen, që do, që di, që s’di, që kërkon, që s’kërkon dhe, nëse kjo qenie-njeri-qytetar, një ditë vendos të shprehet, të bëhet më i dukshëm, të shfaqet në kërkim të së drejtës, për të cilën mund të mos ketë qenë i vetëdijshëm, ai mbetet vetëm dhe i pafuqishëm përballë sfumaturës politike. Bash këtu lind një problematikë e re, që i referohet njohjes dhe mosnjohjes, fuqisë dhe pafuqisë, pushtetit dhe nënshtrimit. Ky balancim i vështirë (dhe fatkeqësisht i përhershëm) mes të individit dhe politikës, është një çështje që vijon të kërkojë një zgjidhje të thellë dhe të qëndrueshme. Dhe, Leskaj, me vetëdije dhe autoritet, rravgon për të sugjeruar një orientim të ri, që e ta shtyjë lexuesin e saj drejt një apogjeu tjetër, drejt një hapësire më të lartë shpirtërore dhe më të gjerë sociale.

Ky raport, (njeri-qeverisje) mëton të bazohet mbi vlera demokratike, duke patur parasysh një shoqëri në tranzicion si e jona, autorja ngulmon të depërtojë duke sjellë vazhdimisht hapësira alternative, për të krijuar mundësi të reja mendimi dhe ballafaqimi shoqëror, që sigurisht, flasin për një tejkalim të modeleve tradicionale të qeverisjes apo formave të zakonshme të angazhimit qytetar. Në këtë mënyrë, hapësirat që ajo sugjeron, karakterizohen nga paradigma policentrike, ku vendimmarrja dhe përgjegjësia shoqërore shpërndahen në mënyrë proporcionale. Sipas këtij vizioni, politika duhet të jetë një arenë ku adresohen sfidat kolektive dhe projektohet një e ardhme më e drejtë, më gjithëpërfshirëse, me politika që nuk përjashtojnë askënd, një kusht i domosdoshëm për ndërtimin e një shteti të konsoliduar dhe të qëndrueshëm.

Ky theks (i vazhdueshëm) është vendosur mbi bindjen se politika duhet të jetë filozofi dhe kulturë mendimi (pra, një lloj edukimi si kulturë politike, që përfshin ata që e bëjnë politikën dhe qytetarët e thjeshtë), vetëm kështu mund të vihen themele në ndërtimin e një demokracie funksionale. Vëmë re: “Kultura politike si lakmuese e nivelit të demokracisë së një vendi, është një koncept i gjerë që përfshin disa elemente… krijimi i një kulture politike demokratike është një proces i gjatë dhe është vështirë të arrihet në nivele të atyre shoqërive që kanë 200 vjet demokraci nga një vend që ka vetëm 30 vjet e sidomos kur vijmë nga një traditë feudale e komuniste…. Politika jonë nuk ka qenë në gjendje të krijojë një kulturë politike të komunikimit apo të bashkëpunimit pozitë-opozitë për çështje të mëdha të vendit, të bëjë një pakt kombëtar afatgjatë, që vë përpara interesat e mëdha strategjike”[1], shprehet Leskaj, teksa u referohet vendeve demokratike, si Gjermania, por edhe atyre që vijnë nga ish-blloku komunist, kryesisht nga Evropa Lindore, të cilat, sipas saj, në funksion të interesave të ndërsjella kombëtare, kanë arritur të bëhen bashkëpunuese dhe konstruktive në proceset politike dhe integruese. Për ilustrim, ndalet te rasti i Kroacisë, duke përmendur marrëveshjen ndërpartiake që forcat politike atje arritën për të çuar përpara procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Leskaj përgjatë gjithë librit, duket sikur vë përballë dy brigje, vrojtimin e drejtë dhe artikulimin e qartë, duke i paraqitur ato herë në mënyrë të drejtpërdrejtë, herë në mënyrë të tërthortë, përmes rrëfimeve personale apo analizave kontekstuale. Ajo thekson se politika ka “fytyrë”, në kuptimin që ajo strukturohet mbi ndarje ideologjike, e majtë dhe e djathtë, të cilat s’duhet të jenë thjesht kategorizime teknike, por mishërime të filozofisë mbi qenien, mbi shoqërinë dhe mbi funksionimin e shtetit. (Leskaj nuk i trajton këto çështje në formën e kapitujve teorikë mbi partitë politike, por i ndërthur në mënyrë organike me përvojën e saj konkrete dhe frymën analitike që rrjedh prej saj). “Në fakt e majta, ashtu si edhe e djathta, përgjithësisht kanë ndryshuar si koncept dhe në këtë optikë duhet parë edhe e majta Shqiptare, po ndërkohë shpesh dominimi i politikës së ditës dhe nevoja e votave ka prevaluar mbi përkatësinë ideologjike, duke çuar drejt alternativave që nuk kanë ruajtur thelbin e së majtës”[2], shprehet Leskaj, kur ndalet tek formacionet dhe ideologjia politike.

Le të ndjekim udhën që na shtron autorja, kapitull pas kapitulli, për të ndalur në nyjet ku përplasen idetë, tensionet dhe vizionet e saj: Libri nis me kapitullin “Gratë, një histori e shkurtër e feminizmit”, i cili ofron një vështrim thelbësor mbi rolin e grave përgjatë historisë së tyre dhe shoqërive, ku ato kanë bërë pjesë, si forcë dinamike dhe e pandashme në zhvillimin e tyre kudo, si në Shqipëri ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar. Nëpërmjet këtij shqyrtimi, Leskaj synon të shpalosë me detaje figurat që lanë gjurmë dhe lëvizjet që ato bënë në ndërtimin dhe përhapjen e vetëdijes feministe, për të sfiduar normat dhe strukturat patriarkale, duke vlerësuar, po ashtu, rëndësinë e këtyre kontribueseve, si fituese të betejave që formoi drejtësinë mbi to. Për ta argumentuar këtë përpjekje, ajo sjell në vëmendje figura të shquara grash shqiptare, siç janë: motrat Qiriazi, që ndihmuan në arsimim me shkollën e vashave, krijueset e talentuara, Selfixhe Ciu, Olga Plumbi, Mila Vangjeli, intelektualen e rrallë, Musine Kokalari, etj. të cilat, secila në mënyrën e vet, kontribuuan në emancipimin e gruas, me rezonim në një kontekst më të gjerë shoqëror. Në një perspektivë tjetër, Leskaj përmend protagoniste të njohura që dominuan arenën ndërkombëtare, si, Sylvia Pankhurst dhe Ray Strachey, Eleanor Roosevelt, Virginia Woolf, Simone de Beauvoir, Margaret Atwood, etj., emra që, jo vetëm, shënuan një kthesë në lëvizjet për të drejtat e grave, por edhe artikuluan me forcë bindëse rolin e saj në kulturë, letërsi dhe politikë, duke promovuar një shoqëri të hapur, të barabartë dhe pa tabu.

Po ashtu, Leskaj, jo më kot, e vë theksin në vitet ’60, si një periudhë vendimtare për ndryshime qartësisht strukturore dhe ideore në fushën e të drejtave të njeriut, veçanërisht të grave në shumë shtete europiane. Sipas saj, feminizmi, megjithëse ndonjëherë mund të jetë perceptuar si fenomen kalimtar apo si ‘modë’, në thelb përfaqëson një transformim të madh të mendësisë kolektive dhe marrëdhëniet mes gjinive. Ky zhvillim, i nxitur nga lëvizjet sociale dhe politikat progresive, solli forcimin e pozicionit të gruas në shoqërinë moderne e bashkëkohore. “Franca kishte një traditë më të hershme në feminizëm, por ajo që ndodhi sidomos në vitet 1968-1969, me protestat e mëdha civile, me grevën e përgjithshme të Majit 1968, që përfshiu rininë universitare e miliona punëtorë të fabrikave, përveçse antiestablishment ishte një nxitje për ndryshim në norma sociale, kulturore, që shënuan një kthesë të rëndësishme në çështjet e të drejtave njerëzore dhe në ato të të drejtave të grave dhe, përgjithësisht, për një shoqëri më të hapur e pa tabu. Vitet 1960 u shënjuan edhe në Angli, Gjermani, Holandë, Itali, vendet Nordike etj., për ndryshimet që sollën dhe për efektin e tyre në lëvizjen për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave gjithashtu. Feminizmi, në ato vite, u kthye në një mode në shumë vende…”[3], shprehet Leskaj.

Në ndarjen “Rrugë brenda meje”, rrëfimi zhvendoset në një prani tjetër, atë që unë e preka më lart, tek e brendshmja e narratorit, aty ku, në fakt, merr jetë çdo hap dhe iniciativë kolektive e shoqërore. Me një sfond historik të pasur, Leskaj e paraqet këtë angazhim (vetjak) si proces të brendshëm dhe e lidh atë me përvojat dhe sfidat e jetës, sa në sferën personale, aq edhe në sferën kolektive.

Duhet theksuar se, Leskaj ka një aftësi të jashtëzakonshme për të të bindur. Duke shpalosur mendimet e saj me qartësi, forcë dhe sinqeritet, por edhe me ndjeshmëri ndaj grupeve shoqërore të brishta, ajo merr pësipër të bëhet bosht qëndror lidhës ndërmjet lexuesit dhe çështjes që parashtron. Kjo duket në mënyrën se si i organizon idetë, konceptet që paraqet përmes referencave konkrete, deri tek ilustrimi për fushat përkatëse, ku rrëfimi aspiron të depërtojë, edhe si shpalosje mbi çështjet, edhe si analizë e kujdesshme mbi to. Këtë e bën me ton racional dhe të balancuar, në të gjitha ‘përballjet’ që merr përsipër të shqyrtojë.

Te kapitulli i dytë, i titulluar “Politika si ide”, Leskaj e trajton politikën, jo vetëm si një menaxhim institucional, sikurse mëton Havel, por edhe si një përplasje idesh dhe vizionesh, ku ndërthuren mendimi teorik dhe veprimi praktik. Autorja thekson se politikbërja është një hapësirë që nxit debat të vazhdueshëm, zhvillim të ideve, rishikim të normave ekzistuese, kërkon transformim të herëpashershëm dhe që ka potencialin të ndikojë në strukturat shoqërore, ekonomike dhe kulturore. Kjo sipas saj, shtyn në rezonim mbi realitetet tona të menaxhimit politik dhe aspiratën qytetare për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë. Për argument, autorja paraqet marrdhëniet kronologjike historike që ka patur politika me shoqërinë civile përtej veprimtarisë formale dhe institucionale, angazhimin qytetar, ndërveprimin me grupet e interesit dhe aktivizimin e atyre që e synojnë realisht ndryshimin social. Në këtë kontekst, Leskaj tregon se, edhe përfshirja e saj në politikë, erdhi si një proces natyral, i lidhur ngushtë me përpjekjet që ajo pati, për të adresuar çështje mbi drejtësinë sociale dhe avancimin e vlerave morale/etike të barazisë dhe demokracisë. Ajo rrëfen me sinqeritet momentin krucial në jetën e saj, kur, pas një ftese të papritur nga ish-kryeministri Fatos Nano, ajo kaloi nga një angazhim aktiv në shoqërinë civile, në një rol qeveritar. “Nuk kaluan as tri minuta dhe më mori Nano. ‘Vali, si je? Nuk je në Shqipëri?’ I thashë që jam rrugës për në Paris. Më tha se ‘dua të të ftoj të bëhesh pjesë e kabinetit tim qeveritar si ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale’. Ishte krejt e papritur për mua, nuk e kisha menduar që një ditë do t’i bashkohesha politikës…”[4] , rrëfen Leskaj.

Kapitulli “Nga Bukureshti në Strasburg/Kehl – Shqipëria në NATO”, pasqyron disa momente kyçe të historisë së Shqipërisë, përjetime të vendit, por edhe të vetë autores, nga brenda proceseve vendimmarrëse, diplomatike, gjeopolitikës etj. Në këtë pjesë, Leskaj ofron një qasje të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet që shoqëruan rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO, duke nxjerrë në pah rolin dhe ndikimin e saj në këtë proces, në një periudhë kritike të politikës shqiptare. Ajo ndërton një panoramë të detajuar mbi zhvillimet e kohës, duke sjellë, për qartësi, diskutimet dhe propozimet që ajo vetë ka paraqitur, siç është rasti i fjalimit në Kuvendin e Shqipërisë, (13 shtator 2007), një propozim për disa reforma të rëndësishme, që i konsideronte të domosdoshme për vendin, reforma që synonin forcimin e institucioneve dhe proceset demokratike, si hapa të rëndësishëm për të garantuar stabilitet dhe siguri për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Oferta jonë, lidhet me reformën në Sistemin e Drejtësisë, me reformën e Decentralizimit, me reformën e Territorit, reformën në Administratën Publike dhe me reformën Zgjedhore ka mbetur pezull…”[5] .

Përgjatë gjithë këtij kapitulli, Leskaj na tregon se zëri i saj politikë ka qenë aktiv, i vendosur dhe me vizion për zhvillimin e vendit e integrimin e Shqipërisë në strukturat ndërkombëtare, si pjesë e natyrshme e botës perëndimore. Rrëfimi dhe analiza mbi politikën e brendshme dhe të jashtme, rrugën e anëtarësimit në NATO dhe një sërë zhvillimesh të tjera, mund të shërbejnë si dëshmi dhe dokument historik dhe analitik, sepse është një referencë e besueshme dhe korrekte, pa fetishizime, pa orvatje për t’i zbukuruar, as fshirë apo shtuar, porse shfaqjes me ndershmëri të historisë sonë pluraliste.

Tek “Tjetri, pushteti i gjuhës”, Leskaj sjell një këndvështrim mbi gjuhën, si mjet komunikimi, në politikë dhe jashtë saj, që mund të ndikojë, përjashtojë dhe përfshijë; se si, me apo padashje, përdoret për të krijuar ndasi dhe konflikte, por edhe për të ndihmuar në procese pajtimi dhe integrimi social. Ky kapitull, vë në dukje se gjuha, është faktor i rëndësishëm i identitetit shoqëror dhe si e tillë, ajo ka potencialin për të ndikuar në marrëdhëniet midis njerëzve dhe grupeve sociale, duke e forcuar ose dobësuar kohezionin social. Duhet thënë se gjuha që ne përdorim, dhe jo rrallë, e që tenton ta gjykojë apo ta denigrojë tjetrin, jo gjithmonë është gjuhë urrejtjeje, ndaj lipset të ndahet qartë për të mos i ngatërruar këto dy gjëra…. E vërteta është që te ne ka gjuhë urrejtjeje dhe politika nuk bën përjashtim, madje shpesh edhe identifikohet me të, duke u bërë jo vetëm bartëse e kësaj gjuhe, po edhe burim i saj. Në këtë rast dëmi që bën shkon përtej marrëdhënieve brenda politikës, prek gjithë shoqërinë ndaj dhe problemi është më i madh”[6], ndërsa thekson rëndësinë e një komunikimi etik në hapësirën e madhe, atë që është eë përbashkët, ku fjala dhe diskursi mund të shërbejnë, si elemente të fuqishme në përmirësimin e tolerancës dhe për krijimin e një shoqërie më të hapur dhe më të respektueshme.

Ndërsa në kapitullin “Vështrim mbi zhvillimet demografike në Shqipëri”, Valentina Leskaj ofron hulumtim dhe analizë mbi lëvizjet e popullatës dhe sfidat që lindin nga tranzicioni demografik. Ajo ndalet te rënia e lindshmërisë, plakja e shoqërisë dhe emigrimi i shpejtë i forcës punëtore, duke nxjerrë në pah pasojat që këto lëvizje mund të sjellin në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe politik të një vendi të vogël, si Shqipëria. Çështja e popullsisë është një problem serioz dhe shumë kompleks që në fakt nuk ka marrë vëmendjen e duhur dhe peshën që ka sidomos nga politikëbërja. Mjaftojnë disa statistika të thjeshta, për të kuptuar se sot jemi përpara një situate që flet për rritje me ritme relativisht të shpejta të moshimit të popullsisë, duke e bërë atë një problem serioz, jo vetëm për të sotmen, por sidomos për të ardhmen e Shqipërisë”[7], thekson ajo. Kjo temë thekson rëndësinë e adresimit të këtyre sfidave përmes politikave të qëndrueshme dhe të mirëpërgatitura, të cilat mund të balancojnë kërkesat e ndryshueshme të një shoqërie në zhvillim dhe nevojat emergjente të një popullsie në ndryshim.

Ndërsa tek kapitulli “Çështjet sociale, një sfidë e përhershme”, autorja thekson përvojat e saj, si Ministre dhe jo vetëm, në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale, në një Shqipëri të brishtë, me një strukturë shoqërore të plasaritur dhe me shumë plagë sociale të trashëguara nga periudha të ndryshme historike. Ajo ofron një pasqyrë të përpjekjeve për ndryshim, (nga viti në vit), për çështje, si, varfëria, papunësia, pabarazia, mungesa e mundësive për grupet e margjinalizuara etj. Kjo nuk është punë e një individi, qoftë edhe ministër, është punë e një ekipi profesional e të përkushtuar që ka qenë i angazhuar seriozisht, me të cilin kam punuar si një skuadër… Natyrisht, nuk them se sot i ka kaluar vështirësitë, po gjithsesi është një diferencë e madhe krahasuar me 18 vjet përpara, kur treguesit e varfërisë, papunësisë, të shërbimeve sociale, të pensioneve etj. dhe kategorive në nevojë, ishin më të përkeqësuara dhe natyrisht që nevoja për reforma ishte më imediate dhe shumëdimensionale…”[8], vijon më tej, ndërsa shqyrton, se si politikat sociale mund të shërbejnë si mjet për riparimin në kohë të këtyre plasaritjeve, duke krijuar mundësi për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë shqiptare dhe forcimin e mirëqenies qytetare.

“Politika si ide”, është një ndër përpjekjet më koherente në fushën e studimeve shoqërore dhe shkencat socio-politike, që synon të ofrojë për lexuesin një udhë të hapur, një koncept të ri dhe një ftesë për reflektim mbi politikën, e cila, assesi nuk duhet parë, si ushtrim i pushtetit, por si një sistem vlerash, sistem që ndërtohet mbi konstruksione më të gjera shoqërore. Në gjithë kapitujt e librit, qoftë si rrëfim, qoftë si qasje analitike, autorja bën bashkë disa dimensione, që lidhen me dy anë të medaljes: ndërtimin teorik të politikës, si ide dhe projekt shoqëror dhe lëvizjet praktike, siç janë, përvoja, historia, dinamikat shoqërore, proceset e zgjatura, kornizat e ngushta për procese integrimi, etj., çështje këto që nxisin mendim dhe debat të gjithëkohshëm dhe lexuesi ka mundësinë ta rishqyrtojë marrëdhënien mes politikës dhe shoqërisë, ndoshta në një mënyrë tjetër, më të ndërgjegjshme dhe më përfshirëse. Prandaj, secili kapitull, shërben si thirrje për një këndvështrim të ri, për ta menduar më mirë politikën dhe për të ndërtuar një narrativë të tjetër mbi të, gjë që do t’i shërbente vetë atij (lexuesit). Në këtë kuptim, diskursi i Leskajt synon të jetë gjithëpërfshirës dhe aktivizues, në mënyrë eksplicite, bën bashkë të gjithë aktorët që përbëjnë jetën socialo-politike, që nga vendimmarrësit institucionalë dhe politikanët përtej bindjeve partiake, deri te qytetarët e angazhuar, nga intelektualët dhe zërat kritikë, te politikanët aktivë të spektrit të gjerë politik, duke i nxitur drejt një analize të mënyrës se si politika perceptohet dhe praktikohet. Duhet theksuar se, “Politika si ide”, është dritare alternative ndaj të kuptuarit dhe të ushtruarit të politikës, që nuk synon të imponojë një diskurs të caktuar, por të kontribuojë në pasurimin e këtij diskursi, përmes hulumtimit, analizës së ndershme dhe përvojës personale të autores. Më shumë se një rrëfim autobiografik, ky libër është ftesë për ndërgjegjësim dhe përfshirje, i orientuar nga vlerat, pjesëmarrja aktive dhe përgjegjësia qytetare, dhe, duhet thënë që vjen nga rrugëtimi e një zonje me përvojë të gjithëanshme, aktiviste për të drejtat e njeriut, drejtuese e shoqërisë civile, anëtare e qeverisë, deputete, kryetare e Grupit Parlamentar të PS dhe nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, etj.

[1] Valentina Leskaj, Politika si ide, Toena, Tiranë, 2021, f. 181.

[2] Valentina Leskaj, Politika si ide, Toena, Tiranë, 2021, f. 157.

[3] Valentina Leskaj, Politika si ide, Toena, Tiranë, 2021, f. 42.

[4] Valentina Leskaj, Politika si ide, Toena, Tiranë, 2021, f. 131-132.

[5] Valentina Leskaj, Politika si ide, Toena, Tiranë, 2021, f. 182.

[6] Valentina Leskaj, Politika si ide, Toena, Tiranë, 2021, f. 262.

[7] Valentina Leskaj, Politika si ide, Toena, Tiranë, 2021, f. 315.

[8] Valentina Leskaj, Politika si ide, Toena, Tiranë, 2021, f. 360.