
Në një bisedë të qetë, por të ngarkuar me emocion dhe reflektim, artisti dhe skulptori Artan Peqini ishte i ftuar në emisionin “Në Fokus”, ku ndau jo vetëm rrugëtimin e tij si krijues, por edhe mendimet mbi jetën, ndjeshmërinë dhe raportin që ka njeriu me artin.
Gjatë intervistës me gazetaren Majlinda Rama, Peqini foli për fëmijërinë, kujtimet që i kanë lënë gjurmë, dhe mënyrën se si këto përvoja janë shndërruar në vepra. Ai rrëfeu se arti për të nuk është thjesht profesion është mënyrë jetese, mënyrë e të ndierit dhe e të kuptuarit të botës.
“Nuk kam dashur kurrë të bëj skulptura që bërtasin. Më interesojnë ato që heshtin, por që kur i shikon, ndien diçka që nuk të lë rehat,” tha ai, duke ndalur për një çast, si për të peshuar fjalët që sapo tha.
Për Peqinin, arti është një formë e të qenit i ndershëm me veten dhe me të tjerët. Ai e përshkroi studion e tij si një vend ku heshtja flet më shumë se zhurma, ku një copë mermeri mund të bëhet kujtim, mesazh apo thjesht një thirrje për ndjeshmëri.
Në fund të bisedës, ai la një mendim që preku shumëkënd se në një botë që nxit shpejtësinë,’arti më kujton të ndalem. Të marr frymë. Të kujtoj që jam njeri’.
Ky episod i “Në Fokus” solli një anë tjetër të artistit, jo vetëm mjeshtrin e materialit dhe formës, por një njeri që kërkon kuptim dhe ndjeshmëri në çdo vepër dhe në çdo takim me jetën.

