Instituti i Arkeologjisë prezantoi projektin “Storie Nostrum në Shqipëri”.
Projekti i podkasteve është një seri rrëfimesh për njerëzit e zakonshëm të lashtësisë nga territoret e siteve arkeologjike si Apolonia, Amantia, Lezha, Shkodra deri edhe Kosova.
Historitë janë shkruar nga shkrimtari Gazmend Kapllani. Këto rrëfime do të mund të dëgjohen përmes fonive në muze ose në site arkeologjike, por dhe në platformat online si Youtube.
Projekti “Storie Nostrum” është nga më të veçantët e realizuar deri më sot, sepse ia sjell publikut antikitetin me imagjinatën e një gjuhë të re, një seri podkastesh që tregojnë jetën e zakonshme të banorëve në brigjet e Mesdheut 2500 vjet më parë. Janë prodhuar rreth dhjetë podkaste në territorin aktual të Shqipërisë me ekipet arkeologjike, që realizojnë kërkimet e tyre në terren.
Ky projekt nxjerr në pah trashëgiminë arkeologjike, jo vetëm mesdhetare, por edhe trashëgiminë e territorit tonë, nëpërmjet eksplorimit të rajoneve pak të njohura të Mesdheut të lashtë.
Belisa Muka drejtoreshë e Institutit të Arkeologjisë që ka ndjekur nga afër këtë projekt tha se me dhjetë histori janë munduar të shkojnë në disa territore. “Me 10 historitë ne jemi munduar të mbulojmë jo vetëm territoret e Apolonisë, Durrësit, Butrintit, jo vetëm të qyteteve të njohura, por të shkojmë edhe në qendra të tjera”, tha ajo. Muka tha se ky propozim që përfshin jo vetëm shkrimtarin, po edhe zërin e aktorit dhe media të tjera të artit dhe teknologjisë së komunikimit, do të ndryshojë qasjen mes publikut dhe shkencës për trashëgiminë arkeologjike dhe historike.

