Kam përcjell mbase shumicën e monologjeve provokuese të të martave dhe premteve televizive të Muçit, që, në përditshmërinë kulturore dhe politike shqiptare, shfaqin një tjetër figurë, një tjetër faqe të Nanos. Paraqitjet e tij në debatet mediatike, përballë kolegëve dhe të  figurave politike a profileve nga fusha të ndryshme, janë më pasionante në mbrojtjen e parimeve, bindjet e veta. I ashpër, sidomos ndaj tifozërimeve, barrikadimeve, fanatizmave… ‘Provokacia’ e tij përshfaq një Muç tolerant, që mirëpret çdo mendim, besim, bindje ndryshe, pa atë pasionin që ka përballë bashkëdebatueseve në emisione të kolegëve të tij… Sa herë kam kohë, ia dëgjoj monologjet dhe, jo se pajtohem gjithnjë e pa asnjë vërejtje, por kurrë nuk më pengojnë, falë argumentimit dhe çiltërsisë maksimale…. Thjesht, si në një ambient dhe mjedis të qytetëruar, normal.

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana përditë e më shumë po merr fizionominë e një metropoli europian, dhe, si i tillë, përgatitet të pranojë, të mirëpresë dukuri, sjellje, shfaqje, pikanteri dhe personazhe sidomos që janë në natyrën, në frymën e qendrave të mëdha. Mëtimi i tij urban, i Tiranës, sikur ka nevojë për veçanti me prirje të pangjashme më parë, të cilat  i absorbon natyrshëm. Edhe për një zë publik, për një krijues e publicist që, në atmosferën e një debati, t’i thotë kryeministrit apo presidentit pse nuk jep dorëheqje, një showman-i, një këngëtareje etj… pse ka prioritet të parë, jo përsosmërinë e profesionit por atë të lakuriqësimit të trupit, zë që shpërthen ulëritje kundër mendjeve që kontaminojnë atmosferën, nga të gjitha perspektivat dhe statuset publike dhe, gjithnjë duke hulumtuar forma dhe alternativa të reja komunikimi, sa sokratiane dhe monologëve të dialogizuar, platoniane, sa të eseistit dhe romancierit, sa të provokuesit dhe polemistit dhe replikuesit, sa me portretet “Si e kam njohur”në frymën e Plutarkut antik, disa nga të cilët janë zhbiruar maestralisht…Pse? Nevojë për të tërhequr vëmendjen e ambientit, të kohës së vet me patjetër, apo trysni e brendshme për të artikuluar një trazim revolte, një klithje që kërkon hapësirë, apo një kërshëri zhbiruese që mëton përtej limiteve, që nuk mundet të mos jetë i pranishëm? Nuk e përballon dot anonimitetin? Nuk mund të mos u bëjë jehonë kërcënimeve që i parandjen, kurdisjen e minave për të nesërmen e sotme shqiptare? Mos vdes për të qënë në top listën e ngjarjeve? 

Mund të nisemi nga cilido kënd dhe ta gjejmë pjesërisht parehatinë e Muçit, por të gjitha ngasjet e zëna në gojë, mund të përfshihen nga më shumë perspektiva… Në frymën e rrjedhës së lumit heraklitian që zëvendëson veten e ndryshuar pa këputje, përfton në përditshmërinë kulturore, mediatike edhe autori, aktori, personazhi Mustafa Nano është në një kërkim të pareshtur, duke përftuar sa në një hapësirë mediatike, skenike, letrare, sa në përballje me besimtarë, sa me debate  filozofike, metafizike, identitare, politike, etike dhe estetike.

Trokitja e tij e pareshtur në dyert e pahapura për njeriun, njerëzimin në fshehtësitë e universit metafizik dhe universit njeri, vjen, si të thuash nga të gjitha anët. Kategori të pahasura nga mendja dhe imagjinata e njeriut, e sidomos, fshehtësitë e parrokshme deri në ndriçim që do ta kënaqte njeriun me veten…ashtu siç ka qënë tundim dhe vuajtje e mendjeve më të ndritura të njerëzimit:

“…njeriu, ashtu siç ka murin e padepërtueshëm përballë universit dhe Zotit, e ka edhe përballë mëtimit për njohjen e vetes…”, thotë Montenji, i cili ka qenë i bindur se njeriu i ka të kufizuar dhe të limituar sensorët që do të ndriçonin terrin e mistereve. Sipas tij, sikur ai, njeriu, në vend të pesë shqisave, të kishte tetë ose dhjetë, mbase do të kishte zgjidhur më shumë enigma, si Zoti, hapësira, koha, e sidomos enigmën njeri… As shkenca, as gjenitë e artit letrar (Homer, Dante, Shekspir), nuk kanë qenë imun nga tundim-vuajtja e limiteve dhe pafuqisë së njeriut për të depërtuar shikimin përtej… Kjo e tundon pambarimisht Mustafa Nanon, në të gjitha shkrimet e tij, imagjinative dhe publicistike, në esetë, përsiatjet dhe monologjet skenike, televizive, i tillë në debatet e shpeshta të tribunave mediatike, i tillë në replikimet dhe polemikat, siç e përmenda më lart… Jo rastësisht atij i bëri aq përshtypje një tundim çasti I Papës aktual të Vatikanit nëse ka apo s’ka jetë të përtejme, të cilën ia pat’ besuar një miku të tij të shquar gjithashtu, nga takimi sy më sy… Mos vallë i përvidhet ndonjë rebelim-tundimi të brendshëm edhe Muç ateistit të thekur? Anise ai, gjatë debateve, sidomos përballë të ftuarve në studion e vet, që në fillim, ua tërheq vëmendjen për ateizmin e vet kur ofron për temë diskutimi besimin në Zot… Fundja edhe Ajnshtajni, gjatë një pyetjeje të gazetarit, se mos vallë është mistik, ai i përgjigjet: natyrisht, meqë nuk mund të di se çfarë ka në hapësirë, jam mistik…

Këto dhe caqe të tjera të pamundshme synon kërshëria, përherë e trazuar e Muçit, jo vetëm në rrëfimin romanor. Në librin e tij “Si e kam njohur”, ku shquhet diskursi eseistik, ai përqëndron vëmendjen tek tundimet tokësore të njeriut, siç është edhe ai përballë pushtetit. Në botën shqiptare sot, por jo vetëm në atë shqiptare, tundimi i parë i politikbërjes, i politikanëve dhe pushtetarëve është ai për pushtet që sjellin mirëqënie, begati pa fund… Rrallë dhe tek-tuk në horizont duket edhe ndonjë idealist, si puna e Albin Kurtit, përfshirë në portretet e këtij libri të veçantë, do të thosha. Dhe Muçi, edhe pse, në realitetin e sotëm shqiptar, para të gjithëve do t’ia jepte votën atij, e pranon botërisht se më shumë ka frikë nga lloji i tillë i politikanëve, i idealistëve, sesa nga pushteti i të korruptuarve: “ Politikanët që sillen sikur të kenë dalë nga shpura e Jezu Krishtit, janë më të frikshëm  sesa politikanët e korruptuar. Këta fillojnë dhe i mbushin mendjen vetes se askush si ata nuk e meriton të qëndrojë në pushtet. Kështu u lind natyrshëm dëshira për më shumë pushtet, për të gjithë pushtetet. Dhe, ‘të gjithë pushtetet’, i duan për të mirën e të tjerëve, jo për të mirën e vetes…”.

Në këtë mënyrë, faqet e librit “Si e kam njohur”, vlojnë nga sfida reale dhe të supozuara, të imagjinuara, nga shikime e parashikime miqësore dhe “miqësore”, të çliruar e “çliruar” nga idealistë dhe “idealistë” të arealit tonë që e bëjnë librin t’i qepesh pa iu ndarë.

Gjysmë i hapur është tek disa portrete… Elegant kur thotë se i kanë thënë, njohësit e Hashim Thaçit për zgjuarësinë e veçantë të tij, ai, pas njohjes “nuk e gjen atë”, edhe pse nuk dyshon në të vërtetën e atyre që ia kanë thënë… Është e veçanta e Muçit: nuk është thuajse asgjë atipike për të, përkatësisht, çdo gjë e mundshme. Fundja nuk e ka në veçanti me askënd, e ka me ne, me të gjithë, duke e përfshirë edhe veten, me një spontanitet të natyrshëm, të besueshëm… Edhe kur thotë bie fjala  “epo, le të zhbëhet ajo Akademi që nuk e ka filanin…”.

Për të qenë më konkret lidhur me librin “Si e kam njohur”, le të shohim ç’kam shënuar në margjinat e tij:

Fjala është për një zhanër miks, publicistiko-letrar, të pa ushtruar në këtë formë tek ne… Diçka që të ndërmend portretet antike të Plutarkut, por edhe biografitë e romanizuara të Cvajgut. Muçi kureshtar i paparë, i ndjek, nga afër e nga distanca figurat publike, të pranishme në përditshmërinë tonë aktuale, që, nga perspektiva, sfera, fusha, opinione, vizione të ndryshme, ndikojnë në rrjedhat e përgjithshme… Autori, që mëton të përfshijë në total figurën, personazhin, niset nga e njohura, e shpaluara botërisht e tij, të përgjojë në arkivat e thella të të panjohurave, përmes së vetëdijshmes në të pavetëdijshmen sipas shkollës Frojdiste… Libri në tërësi, zien nga shkëndijime të tilla që mund të jenë vatra shpalimesh psiqike më pretenduese. Portretet në fjalë vijnë rezultat, besoj, i kërshërisë për të njohur sa më shumë rrethin, ambientin, kohën që nuk rroket dot, kohën që rrëshqet vetëtimthi e ti nuk e ndal dot çastin e sapo rrëshqitur nga vetja, si uji i lumit antik. Etja e Muçit për njohje, për zhbirime enigmash e tabush manifestohet qartë edhe përmes performancave që ndryshojnë, thuajse, nga dita në ditë, metamorfozimesh në rresht, në radhëpritje, prandaj, ashtu siç e ka thënë vetë me një rast, – për Maks Velon, se Tirana, edhe po të mos e kish do ta krijonte, thënie që i shkon më në harmoni personazhit Muçi, raportit të tij me qytetin dhe i Tiranës me të.

Ai e zë edhe veten, jo rrallë, kur i përfton fluturimthi çasti që s’arrin as ta heshtë as ta objektivizojë, ta sqarojë… Në rrethana të caktuara, si për shembull nemitet kur duhet të ngushëllojë dikë për një humbje të madhe, ose pse i ka zët heronjtë se janë mendjembyllur… (mund të jetë tundim hapësira e mjegullt për memecërinë e heroizmit tonë).

“Si e kam njohur” ka dendësi pluskimesh të tilla, prandaj bëhet tekst atraktiv në kuptimin e estetikës së fjalës. Mbase, edhe pse është zënë dhe është gatuar gjatë shkarkim-çastit megapretendues…

Në një rast tjetër (Pëllumb Xhufi), autori thotë… “Ja, një njeri i lirë në këtë vend, që do të thotë një njeri i ndershëm, që, tek ne, nuk mund të jesh pa qënë i lirë…”. Brenda këtyre limiteve, Muçi, si tek portretet, si tek personazhet romanorë, si në performancat skenike, si tek monologët, është në kërkim të bashkëbiseduesve, njësoj në kërkim të vetes… ose biseda me Ornela Vorpsin, kur Muçi, duke rrahur ta gjejë bashkëbiseduesen, e “gjen” vetveten dhe pa lejen e tij i arratiset vetja tek shprehet: “Çfarë zhgënjimi kur dëgjova se ajo qenkësh e martuar…kisha kapur veten në befasi…”

Po ashtu, e veçantë është parathënia e Sokol Ballës, sidomos një detaj i sjellë gjithashtu nga orët e para të Partisë Demokratike. Ndër të tjera, Balla bën fjalë, përkatësisht sjell një fragment nga atmosfera e një mbledhjeje të organit më të lartë të partisë, Këshillit Kombëtar, në gjysmën e parë të viteve ‘90, anëtarë të të cilit paskëshin qenë edhe Nano edhe Balla. (Bëhet fjalë për kohën pas shkarkimit të Eduard Selamit kryetar…). Duke pritur bashkë para hyrjes në Pallatin e Kongreseve, afrohet për të hyrë brenda edhe Selami, meqë, sipas statusit të partisë, të gjithë ish-kryetarët marrin pjesë automatikisht në forum. Dhe, siç tregon Balla, ndodh incidenti: polici para hyrjes, jo vetëm që nuk e lejon, por me insistimin e Selamit që ta kontrollonin listën, në vend të përgjigjes, polici i thotë: “Do hiqesh, apo do një shkelm bythës”… Me këtë ngarkesë acarimi, Balla, duke e tërhequr Muçin që po përsëriste ‘Ç’po bëhet kështu’, mbase i gatshëm për ndërhyrje, futen në sallë… Para se të niste mbledhja, një antare e këshillit, Merita Zaloshnja, paskësh kërkuar fjalën duke kërkuar, po ashtu, që ta lejojnë të hyjë brenda Eduard Selami…  “ Dhe pas pak udhëheqësi (Berisha), foli: Dëgjo ti, putanë, spiune e gazetës ‘Koha Jonë’…”. Dhe komandot e tërheqin zvarrë ta nxjerrin jashtë, ndërsa “të qarat e Meritës nëpër korridore dëgjoheshin akoma në sale”, thotë Balla…Dhe unë, në margjinat e faqes numër gjashtë të librit në fjalë, paskam shkruar: Sikur bashkë me Meritën, këtë kuvend barbar ta kishin braktisur edhe Nano e Balla, edhe të tjerë…. me siguri sot do të ishim më të mirë!

Po le të ndalem te një emër tjetër i përfshirë në këtë libër të Mustafa Nanos. Si shumica e teksteve, portreteve të librit,  ai për Gramoz Pashkon është brilant, madje më nxiti një çast malli dhe keqardhje bashkë. Sidomos detaji kur Skraparin e Muçit, kryetar i degës së PD në ditët e para të saj, e paskësh vizituar Pashko dhe Ruli në shoqërim edhe të një gazetari të huaj, i cili, pas takimit në sallë me antarët e PD-ës, e pyet Muçin: “Pse Ruli u duartrokit më shumë? Përgjigjja e nikoqirit: për arsye se ai është përgatitur për këtë takim, ndërsa Pashko mbështetet në dhuntinë e vet… Gazetari i huaj, sipas parashikimeve të mia, paskësh qenë Misho Glen që asokohe qëndronte shpesh në Prishtinë dhe unë e njihja.

Besoj atyre ditëve e javëve të vjeshtës 1990, Rugova dhe unë, në udhë drejt Parisit për një takim me Kadarenë, në aeroportin e Zagrebit, takuam Misho Glenin që kthehej nga Tirana. Aq sa prisnim fluturimin, u interesuam për PD-ën që dinim shumë pak… Në pyetjen time se kë shihte në krye të asaj partie, ai, pa u menduar gjatë, më tha, Gramoz Pashko do ishte zgjedhja më e mire…

Muçi thotë, në shkrimin tek ky portret, “ashtu si gazetari, asokohe, mendoja se Pashko e Ruli do duhej ta udhëhiqnin PD-ën shqiptare dhe e kisha gabim… Pse gabim? Besoj se Shqipëria do kishte ecur ndryshe, më mbarë, që është për një tjetër debat, nga perspektiva – sikur… Por, për bindjen time, sikur pjesa, bërthama intelektuale e kryesisë, Pashko, Preçi, Ruli, Ceka, Meksi, Selami  u zgjuan me vonesë, pasi kaloi treni… Në vend që të siguronin vota të mjaftueshme të delegatëve në konferencën zgjedhore të kryesisë dhe kryetarit, siç kishte vepruar krahu tjetër, ata shkuan me vetbesimin, si puna e Pashkos në Skrapar… Punët, detyrat e përditshme, prapa skenave, njësoi si sëra e Trockit…, që ia lanë Stalinit “punët teknike…me terenin…”, atij që e kishte nuhatur me kohë fuqinë, pushtetin e numrave, votave…”

E, në këtë, logjikë depërtuese të autorit, në librin “Si e kam njohur” gjenden plot tundime eksploruese zonash të pashkelura të Botës – Njeri. Portretet ese të këtij libri që sjellë persona e personazhe të njohura publikisht janë edhe më pranë natyrës krijuese si eseist, nga ku autori paraqet një diskurs narrativ tërheqës, dhe, së bashku, me rreth dyzetë emrat e përfshirë në të, për shijen time, e bën tekst mbërthyes. Mustafa Nano rend drejt depërtimit të botës së personazheve, njësoj edhe atë të njerëzve përreth, duke gjetur tek ata çaste, gjendje, tundime të çastit etj. Dikush e bën këtë në heshtje, i qetë e në vetmi, pa porosi e testament, dikush me potere,i parehatshëm, duke u sprovuar në më shumë shtigje dhe nga më shumë perspektiva, me veprime që i sjellin tjetër ngjyrim ambientit, duke e përplotësuar spektrin e rrethit. Zë i tillë shfaqet ai i Muçit në skenën e përditshmërisë mediatike dhe kulturore në hapësirën shqiptare, mbase edhe ajo tani, sikur mëton t’i begatojë ngjyrat e Tiranës ngjashëm me metropolet evropiane…

Autori duket mendjehapur, si ndaj botës, ashtu edhe ndaj portreteve. I tillë në paanësi, me përjashtime të rralla, kur fare lehtë fshik dikë edhe nga perspektiva personale. Ajo që e veçon moralin arbitues, është prirja e tij për ta përfshirë veten si dëgjues me vëmendje të theksuar, është prirja për ta përfshirë veten edhe si sfidues, gatishmëria për ta kaluar e skanuar veten para një sprove, para sprovave të panumërta të radhës. Për të gërvishtur edhe sferave të panjohura të vetes, duke u gjendur edhe gafil, i befasuar në disa çaste kur i rebelohet diçka e paparaparë, e pakërkuar, nga qilaret e veta të panjohura… Dhe tërë kjo është në harmoni, në përputhje me Muçin e komunikimeve publike pasionante ndër vite, dhe që, besoj, do të vazhdojë të jetë rishtazi dhe përherë  i ndryshëm, edhe më i ndryshëm.