Festivali i 75-të i Filmit në Kanë u hap të martën me një sy të kthyer nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe një video satelitore drejtpërdrejt nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili i bëri thirrje brezit të ri të kineastëve që të përballen me diktatorët ashtu si Charlie Chaplin satirizoi Adolf Hitlerin.

Pas homazheve dhe numrave muzikorë, Zelenskyy u transmetua drejtpërdrejt për audiencën që ishte mbledhur për premierën e komedisë “Final Cut” të Michel Hazanavicius .

Zelenskyy, foli gjatë për lidhjen midis kinemasë dhe realitetit. Ai iu referua filmave si “Apokalipsi Tani” i Francis Ford Coppola dhe “Diktatori i Madh” i Charlie Chaplin si jo të ndryshëm nga rrethanat aktuale të Ukrainës.

Zelenskyy citoi fjalimin e fundit të Chaplin në “Diktatori i Madh”, i cili u publikua në vitin 1940, në ditët e para të Luftës së Dytë Botërore: “Urrejtja e njerëzve do të kalojë dhe diktatorët do të vdesin dhe pushteti që ata morën nga populli do t’i kthehet popullit.”

“Ne kemi nevojë për një Chaplin të ri, të gatshëm të tregojë se kinemaja e kohës sonë nuk është e heshtur,” tha presidenti i Ukrainës.

Presidenti ukrainas i shtyu kineastët të mos “heshtin” ndërsa qindra vazhdojnë të humbasin jeten në Ukrainë, ne luften më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe të tregojnë se kinemaja “është gjithmonë në anën e lirisë”./Xh.M