Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ruse kanë “shkatërruar plotësisht” rajonin ukrainas të Donbasit, teksa Moska ka intensifikuar ofensivën në lindje.

Gjatë një adresimi mbrëmjen e 19 majit, Zelensky akuzoi forcat ruse se po tentojnë të vrasin sa më shumë ukrainas dhe të shkaktojnë sa më shumë dëme që munden, duke përsëritur akuzat se Rusia po kryen gjenocid.

“Atje është ferr – dhe ky nuk është ekzagjerim”, tha ai, duke shtuar se 12 persona janë vrarë “në bombardimet brutale dhe absolutisht të pakuptimta” në Severodonjeck më 19 maj.

Ka “sulme ajrore të vazhdueshme në rajonin e Odesës, në qytetet në qendër të Ukrainës. Donbasi është i shkatërruar plotësisht”, tha ai.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha më 20 maj se Rusia ka të ngjarë që të përforcojë operacionet e saj në rajonin e Donbasit, pasi të sigurojë qytetin e Mariupolit.

Rusia të enjten tha se 1,730 ushtarë ukrainas janë “dorëzuar” në Azovstal. Ukraina ka thënë se dëshiron të këmbejë të burgosurit, por nuk ka komentuar më shumë për këtë temë, pasi ka argumentuar se mund të vë në rrezik përpjekjet e shpëtimit.

Zelensky tha se më 19 maj ka biseduar me kryeministrin britanik, Boris Johnson, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për një sërë çështjesh, përfshirë edhe ndihmën financiare për ekonominë e shkatërruar ukrainase, eksportet e agrikulturës dhe “evakuimin e heronjve tanë nga Azovstali”.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka njoftuar se ka filluar që të regjistrojë luftëtarët ukrainas që janë larguar nga Azovstali si të burgosur të luftës.

Raportohet se të gjithë luftëtarët e larguar nga Azovstali janë transferuar në territore në lindje të Ukrainës që kontrollohen nga separatistët pro-rusë. Ende është e paqartë se edhe sa ushtarë gjenden në fabrikë, por qyteti i Mariupolit tani është nën kontrollin rus.

Luftëtarët në Azovstal ishin qëndresa e fundit në Mariupolin e shkatërruar nga bombardimet ruse. Ukraina urdhëroi që luftëtarët të dorëzonin armët dhe të largoheshin nga fabrika.

Kombet e Bashkuara bënë thirrje që Rusia dhe Ukraina të bashkëpunojnë për t’i dhënë fund rrethimit dhe për të mundësuar evakuimin./Xh.M