Zbulohen rrënojat e tempujve ku dikur, ushtarët romakë bënin flijime, si dhurata ofruar perëndive. Një grup arkeologësh në Hollandë, zbuluan një kompleks tempulli romak, gati 2000-vjeçar. Gjetja i ka befasuar dhe emocionuar arkeologët, pasi është hera e parë që në zonat veriore të perandorisë së lashtë tomake.

Kompleksi u gjet në një zonë ku nxirret argjilë, në fshatin Herwen-Hemeling, në provincën Gelderland, pranë kufirit me Gjermaninë. Zona ndodhet pranë zonës Roman Limes, që është pjesë e Trashëgimisë Botërore UNESCO.

Gjetjet e para ishin të arkeologëve amatorë, të cilët, në vitin 2021 ndeshën në disa artefakte dhe njoftuan autoritetet. Pas analizës së këtyre zbulimeve Agjencia Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore në Hollandë, nisi gërmimet masive aty.

Sikurse e vlerësojnë arkeologët, dy tempujt e epokës romake janë përdorur mes shekujve të parë dhe të katërt. Bazuar në llojet e mbishkrimeve, si dhe të objekteve të tilla si shtiza, mbetje mjetesh ushtarake, apo parzmore kuajsh, besohet se kompleksi tempullor përdorej kryesisht nga ushtarët.

Më shumë detaje për jetën në periudhën romake

Objektet e gjetura ofrojnë për arkeologët më shumë detaje për jetën në periudhën romake. P.sh. altarët e vegjël prej guri dhe mbishkrimet e tyre të kujdesshme tregojnë mënyrën se si shprehnin falenderimin ushtarët romakë dhe për çfarë ishin mirënjohës. Sipas studiuesve blatimet për të falënderuar një perëndi ose perëndeshë dhe për të kërkuar prej tyre përmbushjen e dëshirave nuk lidheshin gjithmonë me fitimin e betejave, por edhe thjesht me mbijetesën në rajonet veriore larg nga shtëpia dhe familja.