Disa persona u vunë në përgjim nga policia dhe prokuroria me dyshimin se kishin dijeni apo lidhje direkte me vrasjen tek Don Bosko, por telefonat e tyre rezultuan të fikur.

Kjo e vështirëson akoma më shumë punën e hetuesve, të cilët shpresë të vetme kanë kamerat e sigurisë përgjatë itinerarit të përshkruar nga autorët si para dhe pas krimit.

Grupi hetimor po verifikon dhe tabulatet telefonike të loguara në zonën ku ndodhi ngjarja, si përpara dhe pas vrasjes së banakieres 58-vjeçare, Mimoza Paja dhe plagosjes së 5 personave të tjerë.

Deri më tani asnjë prej të dhënave të përftuara nuk ka ndihmuar hetuesit për të rënë në gjurmët e autorëve të atentatit që si shkak dyshohet të ketë përplasjen mes grupeve kriminale mes të cilave bënte pjesë dhe pronari i lokalit, Fatjon Murati.

Për identifikimin e tyre, policia dhe prokuroria po verifikojnë një automjet që dyshohet se informoi vrasësit për lëvizjet në bar kafe.