Është shuar në moshën 80 vjeçare ikona e Cirkut shqiptar, akrobatja Vitore Sallaku.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës Elva Margariti përmes një postimi në facebook:

“Një grua e rrallë, energjike, një artiste e talentuar, një nga themelueset e Cirkut shqiptar, u nda nga ne. Akrobatja Vitore Sallaku ka lënë pas kaq shumë kujtime të bukura dhe u ka falur kaq shumë gëzim njerëzve, saqë largimi do të jetë vetëm fizik! Ajo ishte dhe do të mbetet një shkollë për brezat e rinj!”

Vitore Sallaku vinte nga një familje e persekutuar prej sistemi komunist, ku të atin Lorenc Rashën e pushkatuan. Megjithatë, falë aftësive dhe talentit, të ndjerës nuk ia ndërprenë të drejtat e studimit në ish- Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë. Nga ana tjetër, kjo goditje e familjes Rasha, tentoi të vinte në pikëpyetje karrierën artistike të bashkëshortit të saj, Skënder Sallaku, i cili nuk hoqi dorë kurrë prej saj.

Puna e saj e fundit ka qenë një libër biografik për bashkëshortin e saj Skënder Sallaku, ndërkohë që numëron edhe 5 libra të tjerë të botuar mes të cilëve tre janë me poezi.

Si një nga akrobatet më të spikatura të arenës së cirkut, me një kontribut për më shumë se 35 vjet, Vitore Sallaku u nderua në tetor të vitit 2021 nga Presidenti, Ilir Meta, me titullin “Mjeshtre e Madhe”. /Xh.M