Arles, 29 shtator 1888

I dashur Teo,

Shumë faleminderit për letrën tënde dhe për 50 frangat që më dërgove. Nuk është shenjë fort optimiste fakti që të janë kthyer dhimbjet e këmbës- oh Zot -duhet të ishte e mundur edhe për ty të jetoje në jug, sepse gjithmonë kam menduar se na duhet diell dhe mot i mirë dhe ajër i pastër si ilaçi më i sigurtë. Koha ka mbajtur mirë këtu, dhe nëse do të ishte përherë kështu do të ishte më mirë se parajsat e piktorëve, do të ishte Japonia vetë.

 Kam përfshirë në këtë letër një skicë në kanavac 30sh – qiellin me yje, më në fund i pikturuar natën, në dritën e një kandili me gaz. Qielli është një blu-jeshile, uji është blu  mbretërore, fushat janë mavi. Qyteti është blu dhe violet. Kandili është i verdhë dhe reflektimi i tij është e kuqe ari që shkon drejt një bronzi në jeshil. Përkundrejt fushës blu-jeshile të qiellit Arusha e Madhe ka një shkëlqim të jeshiltë dhe rozë, zbehtësia e lehtë e të cilës bie në kontrast me ngjyrën e fortë të artë të kandilit.

Dy figura të vogla të dashuruarish dalin në plan të parë.

Po kështu do gjesh edhe një kanavac 30sh me skicën e shtëpisë dhe rrethinave nën dritën e një dielli të squfurtë, nën një qiell të pastër kobalt. Ky është një subjekt vërtet i vështirë! Pikërisht për këtë arsye dua ta zotëroj. Sepse është e jashtëzakonshme, shtëpitë e verdha në dritën e diellit dhe pastaj freskia e pakrahasueshme e blusë.

Toka gjithashtu është e verdhë. Do të të dërgoj një tjetër, një vizatim më të mirë sesa kjo skicë siç e mbaj mend; shtëpia në të majtë është rozë, me qepena jeshilë; ajo që është e mbuluar nga hija e pemës, ai është restoranti ku unë ha darkë çdo ditë. Miku im, postieri banon në fund të rrugës në të majtë, mes dy urave hekurudhore.

Kafeneja e darkave që pikturova nuk është në këtë skicë; gjendet majtas restorantit.

Millietit i duket e tmerrshme , por besoj se nuk kam nevojë të ta shpjegoj gjatë se kur ai thotë që nuk mund ta kuptojë se si dikush mund ta shijojë pikturimin e një dyqani perimesh kaq të rëndomtë apo të shtëpive katrore dhe të ngurta, pa kurrfarë sharmi, unë reflektoj se Zola bëri një farë bulevardi përpara L’assommoir dhe Flaubert bëri një qoshe të Quai de la Villette në mes të zhegut të verës përpara se të fillonte Bouvard et Pècuchet, të cilat s’janë dhe aq keq. Dhe është mirë për mua të bëj atë që është e vështirë. Kjo nuk më ndalon nga të paturit një nevojë të pamasë, si të them – për besim – kështuqë dal netëve jashtë të pikturoj yjet, dhe gjithmonë ëndërroj për një pikturë të tillë, me një grup figurash të gjalla të shokëve të mi.

                                                                      ***

   Ky prifti Benediktin duhet të ketë qenë shumë interesant. Sipas tij, cila  është feja e së ardhmes? Me shumë gjasa do thotë “njësoj si në të shkuarën”. Viktor Hygo ka thënë “Zoti është një far drita e të cilit flakëron herë po herë jo” dhe tani, mesa duket, jemi në atë periudhën e errësirës.

   Dëshira ime e vetme është që ata të mund të vërtetonin diçka që do të ishte qetësuese për ne, që do të na ngushëllonte, që të mund të pushonim së ndjeri fajtorë ose të palumtur, dhe se thjesht kështu si jemi mund të vazhdojmë përpara pa u humbur në vetmi apo humbëtirë, pa na u dashur që në çdo hap të frikësohemi apo të masim me nervozizëm dëmin, që padashje, mund tu shkaktojmë të tjerëve.
Ai tipi i çuditshëm, Giotto, në biografinë e të cilit thuhej se kish qenë gjithnjë i sëmurë, dhe gjithnjë plot ngrohtësi dhe ide. Epo, do doja të mund të përvetësoja atë lloj vetë-besimi që e bën një njeri të jetë i lumtur, i gëzuar dhe plot gjallëri gjatë gjithë kohës. Kjo mund të arrihet shumë më lehtë në fshat ose në një qytet të vogël sesa në atë furrë që është Parisi.
Nuk do çuditesha nëse do të të pëlqente nata me yje dhe fushat e pluguara – janë më të qeta se disa kanavace të tjerë. Nëse puna do shkonte gjithmonë ashtu do kisha më pak shqetësime për paratë, sepse njerëzit do të tërhiqeshin më shpejt nëse teknika do vazhdonte të ishte kaq harmonike. Por kjo era e përgjakshme e veriut është një telash i vërtetë për të bërë piktura që përmbajnë dhe ndërthuren, epo, me ndjenjat, si një pjesë muzike e luajtur me emocion.

   Me këtë mot të mirë, e kam lënë veten të shplodhet dhe kam më pak nevojë të luftoj kundër të pamundurës.

                                                                    ***

    Kjo pritja, megjithatë… Por sido qoftë, ky mendim më jep kurajo të punoj, ndërkohë, natyrisht vuaj nga fakti që më duhet të shpenzoj para. Por ky krahasimi me perlën më erdhi ndër mend pikërisht në mes të vuajtjes time, dhe nuk do çuditesha nëse të ndihmon edhe ty gjithashtu, në momentet e tua të shkurajimit. Nuk ka piktura të mira më shumë seç ka diamantë.

   Dhe nuk ka absolutisht asgjë të pandershme në shitjen e pjesëve të mira. Njeriu beson në vetvetë kur ajo çka po shet është e mirë. Tani, nëse megjithatë, njerëzit pëlqejnë pelte, janë të lirë të bëjnë siç u pëlqen, dhe meqë ka kërkesë, epo, nuk bën keq ta mbash në stivë.

   Por kjo s’është mjaftueshëm për ta bërë njeriun të ndihet njeri-  i rrethuar me piktuara të mira, nga ana tjetër, njeriu mund të ndihet vetvetja dhe të qëndrojë i patundur, sepse është gabim i madh të mendosh që piktura të mira ka plot. Mbase nuk po shprehem mirë, por kohët e fundit e kam menduar shumë, dhe kam arritur qetësi përsa i përket çështjes së Gauguin.
Gjithë këto piktura të Gauguin janë pjesë të mira, dhe guximplotë, le të jemi ne tregtarët për të.

Milliet të përshëndet përzemërsisht, kam portretin e tij tani, me një képi të kuqe vendosur në një fushë të jeshiltë, dhe në sfond emblemën e regjimentit të tij, gjysmëhëna dhe një yll me 5 cepa.

Të shtrëngoj dorën  e do të të shkruaj sërish së shpejti, dhe faleminderit vërtetë shumë, shpresoj që dhimbjet do të të kalojnë së shpejti. A ke parë ndonjë doktor? Kujdesu për veten, dhimbja fizike është shumë e bezdisshme.

Gjithmonë i yti,

Vincent.

Xh.M