Një gjykatë në Ukrainë dënoi me burgim të përjetshëm një komandant tankesh rus për vrasjen e një civili, në gjyqin e parë të krimeve të luftës që nga nisja e luftës. Ushtari i kapur Sgt Vadim Shishimarin u dënua për vrasjen e Oleksandr Shelipov, 62 vjeç, në fshatin veri-lindor të Chupakhivka më 28 shkurt.

Ai pranoi se kishte qëlluar z. Shelipov, por tha se kishte vepruar sipas urdhrave dhe kërkoi falje. Shumë krime të tjera të dyshuara lufte po hetohen nga Ukraina.

Moska ka mohuar që trupat e saj të kenë shënjestruar civilët gjatë pushtimit, pavarësisht nga një mori provash për të kundërtën, ndërsa Ukraina thotë se mund të kenë ndodhur më shumë se 11,000 krime.

Moska tha më herët të hënën se ishte e shqetësuar për fatin e ushtarit rus dhe do të shikonte opsionet për ta mbrojtur atë.

“Duke pasur parasysh se krimi i kryer është një krim kundër paqes, sigurisë, njerëzimit dhe rendit juridik ndërkombëtar gjykata nuk sheh mundësinë e një dënimi më të shkurtër,” citohet të ketë thënë gjyqtari nga agjencia e lajmeve Reuters.

Shishimarin, i veshur me një xhup blu dhe gri me kapuç, ndoqi në heshtje procedurat nga një dhomë xhami te përforcuar në sallën e gjyqit dhe nuk tregoi asnjë emocion teksa lexohej vendimi, shkruan Reuters. Avokati i tij tha se do të apelohet kundër vendimit.

Shishimarin, 21 vjeç, shërbeu në divizionin prestigjioz të tankeve të Rusisë Kantemirovskaya.

Në kohën e vrasjes, ai dhe ushtarët e tjerë po udhëtonin me një makinë që e kishin rrëmbyer pasi kolona e tyre u sulmua./Xh.M