Ukraina pritet ta kërkojë të hënën përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB), dhjetë muaj që nga nisja e ofensivës ruse në Ukrainë, ndërkohë që lideri i Rusisë, Vladimir Putin, po e akuzon perëndimin se po tenton ta “shkatërrojë” vendin e tij.

Të dielën, ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, tha se Kievi zyrtar do të kërkojë që Rusisë t’i hiqet statusi si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – ku e ka një ulëse bashkë me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën dhe Kinën.

“Nesër ne do ta shprehim zyrtarisht qëndrimin tonë. Ne e kemi një pyetje shumë të thjeshtë: A ka Rusia të drejtë të mbetet anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe thjesht të jetë në Kombet e Bashkuara?”, tha Kuleba.

“Ne e kemi një përgjigje bindëse dhe të arsyeshme – jo, nuk ka [të drejtë]”.

Pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të fuqishëm të Sigurimit, me 15 ulëse, kanë të drejtën e vetos që mund ta përdorin për ta bllokuar çfarëdo rezolute.

“Bashkimi i popullit rus”

Të dielën, presidenti rus, Putin, tha se ofensiva e tij në Ukrainë ka për qëllim ta “bashkojë popullin rus”, ndërsa i akuzoi “kundërshtarët gjeopolitik” se synojnë ta shkatërrojnë “Rusinë historike”.

Putini e ka përdorur konceptin e “Rusisë historike” për të argumentuar se ukrainasit dhe rusët janë një popull, duke e kundërshtuar kështu sovranitetin e Kievit dhe duke e arsyetuar ofensivën në Ukrainë.

“Përçarje dhe mposhtje, këtë kanë kërkuar gjithmonë ta arrijnë dhe vazhdojnë ta synojnë”, tha Putin në një intervistë televizive.

Por, qëllimi ynë është tjetër: ta bashkojmë popullin rus”.

Ai përsëriti se Moska është e gatshme për negociata dhe u duk i qetë kur u pyet për sistemin e ri të mbrojtjes ajrore me të cilin do ta furnizojë Ukrainën SHBA-ja.

“Natyrisht se do ta shkatërrojmë atë, 100 për qind!”, tha Putini, duke iu referuar sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot që iu premtua presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Javën e kaluar, Zelensky mori zotime për përkrahje nga Uashingtoni gjatë vizitës së tij të parë jashtë Ukrainës që nga nisja e luftës në shkurt.

Ndihmat financiare dhe ushtarake nga perëndimi kanë qenë kyçe në fitoret ukrainase kundër ushtrisë ruse, përfshirë këtu atë në Herson – kryeqytetin e vetëm rajonal që kontrollohej nga Rusia.

Edhe pse Rusia është mbrapsur nga Hersoni, qyteti mbetet brenda rrezes së armëve ruse dhe është nën rrezik të vazhdueshëm. Të dielën, këmbanat e kishave u dëgjuan në të gjithë Kievin ndërsa të krishterët ortodoksë morën pjesë në shërbimet e Krishtlindjeve, në një distancim nga udhëheqësit shpirtërorë rusë, të cilët do ta shënojnë këtë festë dy javë më vonë.

Në një shërbim në qendër të Kievit, besimtarja Olga Stanko tha për agjencinë e lajmeve AFP se ajo e mbështet çdo lëvizje që e distancon Ukrainën nga Rusia.

“Lufta na ka sjellë kaq shumë pikëllim,” tha ajo. “Ne nuk mund ta bëjmë këtë me Rusinë, të mbetemi nën ndikimin e saj.” Vendimi i disa kishave të Ukrainës për të festuar Krishtlindjet më 25 dhjetor nxjerr në pah përçarjen e thellë mes udhëheqësve fetarë në Kiev dhe Moskë.

Ukraina kishte qenë nën udhëheqjen fetare të Moskës të paktën që nga shekulli i 17-të, por një pjesë e Kishës Ortodokse të Ukrainës u shkëput nga Moska në vitin 2019 shkaku i aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe mbështetjes ruse për separatistët në lindje të Ukrainës.

Në maj, dega e mbështetur nga Rusia e Kishës Ortodokse të Ukrainës i ndërpreu lidhjet me Moskën./REL/Revista Time