Vlerat e trashëgimisë arkitektonike moderne, kanë ardhur përmes tre filmave dokumentarë, të realizuar në Kosovë.

Autorja e dokumentarëve, Flaka Xërxa Beqiri, ka pasur si qëllim dokumentimin e rëndësisë së objekteve të trashëgimisë moderne, përmes rrëfimeve personale të shfrytëzuesve të tyre.

Tre filmat dokumentarë, të cilët kanë marrë mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, u shfaqën në Qendrën Kulturore “Kino Armata”, në Prishtinë.

Dokumentari “Ngjyrat” u realizua mbi ndërtesën e Bankosit në Pejë, i cili flet për arkitekturën e tij dhe si e shihnin punonjësit këtë ndërtesë, disa prej të cilëve folën për rëndësinë që ajo kishte asokohe.

“Vijat” i realizuar mbi ndërtesën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, për të cilin folën me shumë nostalgji për rëndësinë e veçantë që objekti kishte për rininë dhe aktivitetet kulturore e rekreative.

Dokumentari i tretë “Kupollat” fliste për Bibliotekën Kombëtare, duke shfaqur jo vetëm vlerat e saja kulturore, por edhe arkitekturore.

Një diskutim për të shpalosur këndvështrimet e arkitektëve mbi vlerat dhe rëndësinë e arkitekturës moderne në Kosovë, u zhvillua pas shfaqjes së tre dokumentarëve. Pjesë e panelit ishin profesori i arkitekturës, Ilir Gjinolli, dhe autorja e dokumentarëve. /atsh/Revista TIME