Tirana merr Presidencën e rrjetit më të madh të qyteteve ballkanike, B-40 për vitin 2024. Nga Athina ku po zhvillohet Samitin e Rrjetit B40, kryebashkikau Erion Veliaj tha se presidenca do të jetë një mundësi e madhe për Tiranën.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme që sot, nga Athina, Tirana merr Presidencën e Rrjetit më të madh të qyteteve ballkanike, B-40 për vitin 2024. Pas vitit 2022, ku ne ishim “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, këtë vit jemi “Qyteti Europian i Sportit 2023”, ndërsa vitin tjetër do të kemi Presidencën e Rrjetit më të madh të Qyteteve të Ballkanit. Rrjeti B-40 filloi vitin e kaluar në Stamboll, u themelua aty, nga 40 qytetet më të mëdha të Ballkanit. Janë qytete me mbi 50 mijë banorë. Këtë vit, rrjeti ka shkuar në 70 qytete”.

Sipas kryebashkiakut Veliaj, ky titull do të ndihmojë edhe në rritjen e turistëve në Tiranë.

“E mezi pres këtë mundësi të jashtëzakonshme! Si çdo vit, kur kemi pasur një titull të rëndësishëm Europian dhe e kemi kthyer në një mundësi të shtuar për Tiranën, në më shumë turizëm, në më shumë aktivitet ekonomik, në më shumë reputacion për qytetin tonë. Edhe viti 2024, kur Tirana do të jetë Presidentja e B-40, do të ofrojë një mundësi të tillë”.

Rrjeti B40 është një nismë e themeluar në Stamboll, e cila synon rritjen e bashkëpunimit rajonal mes qyteteve, si dhe të punuarit së bashku, sidomos për çështjet klimatike, demokracinë, paqen dhe stabilitet.