Britanikët e njohur në të gjithë botën për hitin “House Of The Raising Sun” do të performojnë në Amfiteatrin e Tiranës te Parku i Liqenit, mbrëmjen e 19 qershorit.

Yjet e ‘House Of The Raising Sun’, ‘It’s my life’, ‘Don’t let me be misunderstood’, ‘Animals & Fiends’ për gati 90 minuta, do të mbajnë të elektrizuar skenën dhe spektatorët e kryeqytetit, dashamirës të bluzit dhe rrokut.

Kryebashkiaku Veliaj ishte mikëpritësi i parë i bandës së rrokut, të cilëve ju dorëzoi edhe simbolin e qytetit, Kullën e Sahatit.

“Ju falenderoj shumë për kontributin dhe mezi pres të kënaqemi këtë javë në Tiranë. Të mërkurën, në orën 20:00, ne do të jemi te Amfiteatri i Tiranës për të dëgjuar “The Animals”. Besoj se edhe për gjeneratën e prindërve tanë, për të cilët muzika e tyre ishte e ndaluar në regjimin komunist, do të jetë një kënaqësi e jashtëzakonshme”.

Bateristi i grupit dhe një nga themeluesit e “The Animals”, John Steel, i cili rikthehet në Tiranë pas më shumë se 4 vitesh, premton se koncerti i së mërkurës do të dhurojë mjaft emocione për dashamirësit e rrokut në Shqipëri. Banda britanike “The Animals” ka edhe një yll në Rock and Roll Hall of Fame./Xh.M