Në konferencën e 10-të të Organizatave Ndërkombëtare për Antropologjinë e Europës Juglindore, në Grac të Austrise, u prezantuan punimet e Mikaela Mingës dhe Anxhela Hoxha-Çikopanos, studiuese në Institutin e Antropologjisë dhe Studimit të Artit.

Dr. Minga kumtoi “The national folk festival of Gjirokastër: Visual representations through film” (Festivali Folklorik i Gjirokastrës: Përfaqësimi vizual në film). Festivali folklorik përfaqëson ngjarjen më të mediatizuar në Shqipërinë totalitare. Prania e mjeteve teknologjike për regjistrimin e tij ka qenë shumëplanëshe dhe kështu janë edhe dokumentet tingullore dhe audiovizuale që e dokumentojnë atë. Nga këto, studiuesja Minga mori në shqyrtim 5 dokumentarë të prodhuar nga Kinostudioja “Shqipëria sot” për 5 edicionet e festivalit, duke analizuar mënyrën si përfaqësohej kjo ngjarje kulturore përmes zhanrit të filmit dokumentar. Në këtë analizë u prekën aspekte estetike, ato të gjuhës filmike, performative, si dhe ato të propagandës dhe ideologjisë.

Dr. Hoxha-Çikopano u paraqit me kumtesën “Communist Emancipation of Women in Albania – A Cinematographic Approach” (“Emancipimi komunist i gruas në Shqipëri – Një qasje kinematografike”), që trajtonte çështjet e emancipimit hipotetik dhe real të gruas në Shqipëri dhe si është pasqyruar pritshmëria dhe realiteti në kinematografinë shqiptare mes viteve 1952-1990, me ngjyrimet tipologjike të estetikës e propagandës së kohës dhe evolucionin e narrativës kinematografike, përballë realitetit të grave shqiptare në këto vite./atsh/Revista Time/xh.m