Këshilli i Ministrave miratoi sot sprojektvendimin për programin e nxitjes së punësimit që lidhet me skemën e garancisë rinore dhe që i drejtohet aftësimit dhe punësimit të të rinjve të moshës 15-29 vjeç.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot, gjatë një deklarate për mediet, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se, programi i drejtohet kësaj grupmoshe, ku shënohet edhe numri më i lartë i të papunëve në shkallë vendi.
“I drejtohet çdo të riu që ka 4 e më shumë muaj pa punë apo pa një program arsimimi. Kësaj kategori do t’i ofrohen kurse të arsimit profesional, shkollave profesionale apo një vend pune. Çdo i ri që do të përfundojë një program të formimit profesional për një hark kohor deri në 6 muaj do t’i ofrohet një vend pune dhe ky vend pune do të jetë i paguar gjatë 3 muajve të parë nga buxheti, në masën 80 % të pagës minimale. Ndërsa në 3-mujorin e dytë 100 % e pagës minimale”, tha ajo.
Ministrja shpjegoi se, të gjitha bizneset që do të punësojnë një të ri, do t’i paguhet 20 % e kohës së personit që do të merret me trajnimin e të rinjve, ndërsa të rinjve do t’u paguhet një shumë deri në masën 16 mijë lekë, nëse ata banojnë më larg se 2 km nga vendi i punës apo formimit profesional.
”Kjo është një politikë që qeveria shqiptare po ndërmerr për të përmirësuar kushtet e tregut të punës, për të pasur një ofertë pune më cilësore, për të rritur standardin e ofertës së punës. Oferta e punës, tregu i punës dhe konkurrueshmëria e vendit nuk mund të varet më nga kostoja e lirë punëtore, por duhet të lidhet me aftësitë e tregut të punës në vend”, deklaroi Ibrahimaj.
Ky program do të financohet nga buxheti i shtetit dhe fondet të Bashkimit Evropian.