Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të bëhen pjesë e ndryshimit të madh mjedisor e kulturor, që nis prej 1 qershorit.

Qeset plastike njëpërdorimshe do të ndalohen në Shqipëri prej 1 qershorit 2022.

Në një postim në Facebook, Rama ka shpërndarë një video për ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mbrojtur mjedisin.

Çdo vit, në Shqipëri përdoren rreth 3.2 miliardë qese plastike apo njëzet e gjashtë mijë tonë në vit përafërsisht.

Mbetjet e qeseve plastike përfundojnë në ushqimin që hamë dhe ajrin që thithim çdo ditë.

Rreziku mjedisor ka bërë që në dekadën e fundit shumë qeveri në botë të ndërgjegjësohen dhe të reagojnë me shpejtësi.

Në këtë kuadër, Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që nga data 1 qershor 2022, prodhimi, importi dhe përdorimi i qeseve plastike mbajtëse si dhe e qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme të ndalohet me ligj.

Në Kuvend është miratuar projektligji që parashikon edhe gjoba deri në 1,5 milionë lekë për importuesit, prodhuesit dhe tregtuesit e qeseve plastike./ Xh.M