Shpëtim Gina! Ishte ende student kur u fut në rrethet artistike. Dramën e parë, e paraqiti në Teatrin Popullor. Profesionistët u befasuan me talentin dhe mënyrën e çuditshme të studentit që paraqiti dramën atje. Në ‘intervistat’ me të mbetej një enigmë e pa deshifruar, ndjeshmëria e këtij kërthiu province për dramën absurde. Mihal Luarasi si regjizor dhe Bardhyl Kosova si Drejtor Teatri, me gjithë dëshirën e mirë, nuk guxuan më tej. Mësuan se andej nga vinte (Qyteti Stalin) nuk kishte parë as teatër më shumë se dy herë në jetën e tij dhe kuptohet drama të realizmit socialist. Kjo është koha kur jam njohur me Shpëtimin, me të cilin bashkëpunova për dy filma dokumentarë dhe krijova një miqësi të bukur. Pasioni për shkrimtarin e ri, nuk ishte vetëm drama ku kishte tërhequr vëmendjen, por edhe poezia, proza dhe skenari. Nga njohja me jetën e tij sikur mu krijua bindja, ajo që kisha lexuar për disa talente, se shkrimtarët e mëdhenj kanë pasur një fëmijëri të vështirë. Gina, kishte vuajtur nga shëndeti dhe si pasojë mësimet e para i kishte zhvilluar me të atin, Mehmetin. Po herët i kishte mbetur një si paralizë e pjesshme fasciale dhe kjo e kishte mbyllur në vetvete. Më pas i kishte vdekur e ëma. Të gjitha këto e ndihmuan shkrimtarin e ardhshëm të merret me lexime, lexime, lexime dhe të sprovonte poezinë. Në ato vite ishte moda e punëve apo qarkullimeve në rrethe. Në Kuçovën e qëmotshme, ishte Fatmir Gjata dhe mësuesi i Shpëtimit i jep të famshmit Fatmir Gjata disa poezi. Fatmiri me shumë përkushtim pasi lexoi poezitë thirri për sugjerim apo ndryshim të ndonjë poezie. Shpëtim Gina, rrebelohet, ia mori poezitë dhe iku nga zyra e tij, duke i thënë: Pse poezi koti si ato që të pëlqejnë ty do shkruaj unë?!

Praktikën mësimore e mori në TVSH, aty u lidhëm edhe më shumë. Kemi punuar dy dokumentarë. Të tre së bashku me Pali Kuke, që ende nuk ishte martuar krijuam një treshe solide me vepra nga më të arritura në atë kohë. Në dokumentarin e Beratit na mbështeti gjigandi Sandër Prosi, jo vetëm duke lexuar tekstin si narrator, por si një mik në bashkëpunim. Fati i atij dokumentari xhiruar me film ende nuk dihet pasi u shfaq për punonjësit (thuhej në kolektiv) me shumë sukses, nuk arriti në ekran, sepse unë nuk pranova ndërhyrjen absurde të një zyrtari për ‘amputim’ të dhunshëm të një episodi historik. Ose heqje ose mos shfaqje. Nuk pranova heqjen e episodit dhe dokumentari nuk u shfaq. Nuk është vepra e parë e Shpëtim Ginës që nuk shfaqej.

Më vonë vajti në zborin ushtarak në Mamurras. Gjatë kësaj kohe kishte ardhur te unë në shtëpi dhe ardhjen e fundit, la xhaketën në korridor. Pasi ikte me veshje ushtari në zbor. Më tregonte se e kishin dënuar dy herë me ‘burgosje’ çadre nën vapë, po ai ishte i kënaqur dhe bënte gabim që të dënohej pasi në çadër gjente kohën të shkruante. U kujtova se kur shkruante në zyrën e TVSH, vendoste një makinë shkrimi mbi një si tip etazheri dhe shkruante në këmbë i përqëndruar me një llullë në gojë ala Heminguej.

Ishte mëngjez, po shkoja në punë, diku aty pranë godinës më varet në qafë me ngashërim D. mike e tij dhe më thotë: Shpëtimi nuk jeton më! Kuptohet është i papranueshëm ky lajm. Dhimbja të errëson mendjen. Një grup i RTSH-së modest, me një makinë tip gazi do niseshim në përcjellje “Qyteti Stalin” mikja e tij u la jashtë ‘mendësia’ se nuk mund të merrnin shefat këtë vajzë me vete, që nuk kishte marrëdhënie zyrtare me të ndjerin. Kur po e përcillnim dhe po largoheshim nga varri si një statujë në distancë qëndronte e vetme pranë varrit, mikja e tij. Xhaketën e mbetur varur në korridorin tim, pas më shumë se 6 muajsh e mori e motra. Nga Shpëtimi më ka mbetur dhimbja për një ikje jo vetëm të një miku, por me bindje, dhimbja e ikjes së një talenti tashmë mbetur, si enigmat!?
EPILOG
Mes komenteve më erdhi kjo e shkruar: Më vjen mirë që ju keni shkruajtur sot për Shpëtimin sepse, nesër ai ka datëlindjen. Gjithë të mirat!(Ishte mbesa)
Shkenca na thotë për parandjenjat, telepatitë , ja ku është rasti. Nuk dija absolutisht asgjë për asnjë datë. Kjo pasdite erdhi për Shpëtimin nga malli për të.