Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot shpalljen e lumit Vjosa, “Park Kombëtar”, si një moment historik.

Në fjalën e tij në aktivitetin e organizuar në Tepelenë, “Vjosa, një Park Kombëtar unik për Shqipërinë dhe Evropën”, Rama tha se, “ky është realisht një moment historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën si një hapësirë e përbashkët ku zhvillimi ekonomik, zhvillimi social dhe trashëgimia për brezat që vijnë, si një stafetë e mirëqenies, mund të shihet dhe duhet të shihet krejt ndryshe nga sa rëndom jemi mësuar, duke e kërkuar tek shfrytëzimi pa kriter dhe pa karar i natyrës”.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë, sepse sanksionojmë atë që kemi dëshiruar shumë, qysh në krye të herës, atë për të cilën jemi zotuar kur kemi marrë mandatin për të qeverisur, atë që për ta bërë realitet na u desh kohë, pasi nuk është vendim i lehtë, por vendim shumë i vështirë për një mijë e një arsye, shpalljen e Vjosës Park Kombëtar”, theksoi Rama.

“Më vjen shumë mirë që ia dolëm kësaj ndërmarrje kaq sfiduese dhe jam shumë mirënjohës atyre që kontribuuan për të ardhur deri këtu. Dua të veçoj dy njerëz Mirelën, ministren e Turizmit dhe Mjedisit dhe Adelinën, drejtoren e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, të cilat me shumë këmbëngulje edhe durim bashkërenduan shumë forca që u bënë bashkë në këtë proces”, nënvizoi Rama.

Sot, vijoi Rama, “ne mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të Evropës dhe në këtë rrugë për të ardhur deri këtu patëm shumë europianë, që pasi i zbutën lumenjtë e tyre të egër, për t’i shfrytëzuar, siç e panë të arsyeshme, u turrën tek Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja”.

“Shumë europianë që mbasi i kthyen tigrat e tyre të natyrës në mace shtëpiake u turrën drejt nesh të mos guxojmë të zbusim tigrin tonë. Është kënaqësi që edhe atyre u japim mundësi që përmes Vjosës të bëjnë një larje sado të sipërfaqshme të ndërgjegjes së tyre, ashtu sikundër është shumë kënaqësi që mes tyre kemi pasur fatin të njohim njerëz që janë bekim i këtij plani, siç është Rayan, që shet rroba në të gjithë botën, por bën miliarda, po në të njëjtën kohë ka një shqetësim xhenuin për të kontribuar për këtë planet, i cili është në një udhëkryq të rrezikshëm, apo edhe të tjerë si Rayan, me të cilët jemi shumë të lumtur që mund të bashkëpunojmë”, u shpreh Rama.

“Shpresoj që të gjithë këta, me Rayan në krye, të mos ikin në drejtim të paditur, pasi e garantuan që tigri nuk do bëhet mace, por të qëndrojnë këtu me ne, për të vazhduar që këtë pasuri ta kthejmë në mirëqenie, në burim zhvillimi ekonomik, social dhe ekologjik të qëndrueshëm dhe në një model për të gjithë, për të gjithë në Shqipëri dhe përtej saj”.