Shkrimtarja shqiptare Lea Ypi ka fituar çmimin “Ondaatje”, një ndër çmimet më të rëndësishme në Mbretërinë e Bashkuar. Një çmim ky, i cili jepet për librat që “sjellin më së miri shpirtin e një vendi.”

Përbëresit e jurisë ishin poeti Sandeep Parmar, autori i librave për të rinj Patrice Lawrence dhe shkrimtari dhe avokati Philippe Sands.

Ata thanë për “Të Lirë”: “Duke lexuar dhe rilexuar “Të Lirë” e Lea Ypit, ne ndjemë fort se shqetësimet qëndrore të librit – politika, historia personale, vetë kuptimi i lirisë – ishin kaq rezonuese për momentin dhe kohën tonë.”

Juristët e kanë lartësuar librin “Të lirë”, duke e përshkruar shkrimtaren si një  mjeshte të ballafaqimit të rrëfimeve madhështore dhe personale. Juristët vlerësuan gjithashtu mënyrën se si “puna e saj me humor të errët dhe thellësisht serioze” i bëri ata “të reflektojnë me forcë mbi nevojën për vërtetësi rreth historive që na tregohen dhe se si ne e negociojmë jetën tonë brenda tyre”.

“Të Lirë”, u zgjodh si fitues nga një listë prej gjashtë librash.

Përveç rëndësisë që çmimi ka, shkrimtarja u vlerësua edhe me 10,000£.

Një urim ka ardhur edhe nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.

“Urime për Lea Ypi  për fitimin e çmimit Ondaatje! Ky çmim, i dhënë nga Shoqëria Mbretërore e Letërsisë në Mbretërinë e Bashkuar, është një nga më të rëndësishmit në botë. Urime”, shkruan Kim.

Më herët, Ypi është vlerësuar edhe me çmimin “Lumo Skëndo” me motivacionin “për vlerat e shquara në trajtesën origjinale, artistike e filozofike të konceptit të lirisë në kohën e diktaturës komuniste dhe të tranzicionit demokratik në Shqipëri, nëpërmjet kujtimeve të fëmijërisë dhe adoleshencës, dhënë me vërtetësi, sinqeritet, ndjeshmëri, humor, meditim politik e filozofik bashkëkohor”./Xh.M