Shtrimi i pyetjes, të lashtë sa bota, qysh në poezinë e parë Rabin ç’është dashuria, e lajmëton qerthullin e shtegtimit poetik, madje duke mbetur në këtë vatër ligjërimi, kur ulet sipari, në vargjet: A thua ka marrë fund dashuria dashuria Rabin d-a-sh-u-r-i-a / Sa shumë interesa sa shumë lakmi sa shumë pangopësi-i-i-i, (f. 227). Shtrimi kaq troç i pyetjes, më të zakontë dhe më sublime, si dhe dhënia e përgjigjes, si parashtresë poetike, e përveçon librin, në një situatë të ngjeshur, të bashkëlidhinisë së dy rrafsheve, të pranisë së personales, jetësore dhe imagjinare, po kaq të universales, si marrëdhënie e qenies me botën, me qytetërimin dhe letërsinë. Pra, në këtë lexim paraprak, sepse rileximi ka gjasa që të ndrit votra të pavëna re, ndeshim një shtegtim nga vetja për te Tjetri, që e përmend Ernesto Sabato, mbase te tjetri, që tulatet brenda nesh, diku në thellësinë e universit personal. Përmbledhja poetike Rabini im, qysh në titull dhe në secilën sekuencë poetike, ku gjellijnë mbi njëqind poezi, sendërton dhe kumton një prani të pazakontë të ligjërimit poetik, si një kuvendim shpirtëror, me Rabinin e shtrenjtë, diç ma tepër, si një “fluturim” jo pindarik, në universin letrar dhe kulturor, në qëmtim të shenjave estetike, duke endur një tekst hipertekstual, të endjes së tekstit letrar si rimarrje, madje që shpalon një hije palimpsesti, pra një situim të shkrim-mbi-shkrimit, ku uni autorial gërshtetohet dhe shkrihet në pikat e vëlimit, të të mbërrimeve të verbit poetik.

– Udhëtim imagjinar në kohë dhe hapësirë

Materia poetike e librit Rabini im, krahas larmisë së gjendjeve të shumta, që shpesh faniten si imazhe apo si tinguj shpirti, ndërkaq më shumë së gjithçka tjetër, ofron procedeun e udhëtimit, të bashkëlidhur me aktin e kuvendimit-dialogut, pamëdyshje të konceptuar si një udhëtimi imagjinar, që kurrë nuk i shkëput dhëniemarrjet me jetësoren, aq të shëmtuar në bukurinë e vetë. Nëse Dantja në Komedinë Hyjnore, aspak nuk po merrem më përqasjen, që nuk e kam në fokus asnjëherë, kur shkruaj për letërsinë, por vetëmse më rastësinë e udhëtimit, mirëfilli imagjinar, sidomos në Ferr, eventualisht në botën nëntokësore. Autori, në faqet e librit Rabini im, tashmë “shtegton” vetëmse në një botë imagjinare, mbitokësore, aty ku janë djajtë dhe engjujtë, në një botë kinse ëndërrore, herë symbyllur, e herë me sytë hapur. Substanca poetike e laryshisë, si ritëm dhe botëperceptim, si vargëzim dhe leksikemë, gati e ngrirë në një imazh drithërues, shpërfaqur në shtjellat e ngrehinës, vetiu të përfshin në rruzullimin e kapërthimit imagjinar. Fakti që autori ka jetuar me librin, dhe për librin, në thelbin e vetë, sugjeron një shtegtim të fantazisë, veçmas në hapësirën e pamatshme të librit, ku strehohet fjala poetike. Në udhëtimin vetanak dhe imagjinar, ka vlerë më vete, edhe sfondi, vendet e parapëlqyera, Parisi, Roma, Frankfurti, Jeruzalemi etj. , pra është edhe një vrapim i rrokshëm kulturor. Në mëdyshjen ligjërimore, të kahjes së botëpreceptimit, autori bredhëron me fantazi të përndezur, nga vetja për të tjerët, të bota e madhe e artit dhe letërsisë, te bota e qenies, ku fle terri dhe drita jetëdhënëse.

– Rabini – mësuesi dhe udhërrëfyesi

Në këtë udhëtim të përndezur, për te të tjerët, pamëdyshje nisur nga vetja, që ka në bashkëshoqërim të pandarë Rabinin, gjë që formëson tanësinë e librit, madje edhe secilën substancë poetike, ngjiz një gjendje letrare, jo fortë të shpeshtë në letrat shqipe. Madje këtë marrëdhënie, frymimi domethënëse, të ndërthurjes së anasjelltë, autori vetvetiu e shpërndërron në rrafsh të një subjektiviteti fluid, me shumë gjasa në subtil të personalizuart, teksa e thërret Rabini im. Pra, këtu jemi në një përveçim, konceptual dhe thadrues, të poezishkrimit, si një bisedë gjithësesi e pambaruar, mbase si kuvendim ditënatësor, a diç ma tepër, si një dialogim i hapur, pa doreza, ku zbulohet lakuriq uni dhe bota rrotull, me Rabinin, kaq të pranshëm shpirtërisht dhe mendërisht, por edhe me vetë botën përqark, me universin e librit dhe kulturës, të cilat mbajnë në këmbë qytetërimin dhe vetë qenien. Duke shkuar kështu në shkallën skajore të personalizimit, Rabini im, jo se nuk është i të tjerëve, porse këtu autori shqipton formën ma të naltë, cakun e mbramë, të dialogut, të autorit:
a – Me mësuesin e jashtëzakonshëm, që ka parë dhe di shumë për jetën, ka shumë për të thënë, por hesht, me mësuesin e paepur që nuk të falë gabimet dhe që të gjendet, në brenga e lëngime, me njeriun me përvojë të gjatë, që në mënyrë të veçantë di me rujt ekulibret, në fillim të mbarimit, diçka ma tepër, në mbarim të fillimit.
b – Me bariun shpirtëror, fetar dhe dituror, që ka parë dhe provuar shumë në jetë, që pothujase di gjithçka, që mundet me e rrok mendja njerëzore, e megjithatë sillet si i barabartë, duke qenë një udhërrëfyes model, kuvendon lirshëm dhe në një barazi ideale, duke sjellë paqe dhe lumni, në të këtë marrëdhënie të ndërsjellë.
c – Me mikun e patëdytë, që të gjendet kurdoherë, e sidomos në ditët ma të vështira, veçmas në stinën e vetmisë, që dëgjon me durim shenjti dhe, flet me zë të qetë e të sigurtë, me fjalën e duhur, si për ta lehtësuar sadopak, vullkanin e zjarrëllimës së poetit, me veten dhe botën.
Rabini, sidomos mësues dhe udhërrëfyes, në këtë udhëtim imagjinar, ka qenë pranë gjithë moteve, mbase diku thellë brenda vetëdijes autoriale, porse ai shfaqet atëbotë, kur moti vranë e kthjellet, si një prani përtej kohës dhe hapësirës, ka mundësi, edhe përtej fatit të qenies, si individ dhe shoqëri. Rabini, që shfaqet në ditën e fatkobit, me shumë gjasa, të lëngatës së thellë shpirtërore, është si drita në fund të tunelit, edhe pse terri shpirtëror ka nisur fluturemën, që zbret në ditët e njeriut pa marrë leje.

– Jeta virtuale dhe librore e poezisë

Rabini im, libri i fundit i autorit, deri më tani, në nivelet e komunikimit, ka mbërritur te lexuesi, në dy mënyra:
Së pari: Fillimisht si “jetësim” dhe komunikim virtual, krejt i hapur me lexuesin, që tashmë sa vjen dhe zgjeron hapësirat e veta. Pra, bazuar te kjo rrethanë, mundet të flitet për një proces të hapur, të vetë procesit kreativ, që luajnë rolin e një situimi paratekstual, organikisht me brendësinë e lëndës poetike. Kjo formë, parake dhe reaguse, ndonëse e mirëmenduar, në ditë dhe muaj, e lëshuar në situatën virtuale, e përlindi librin Rabini im. Megjithatë, poezia që merr shkas nga rrethana, të caktuara dhe të pashpjegueshme, sepse letërsia, eventualisht edhe poezia lexohen dhe zbulohen në tekst, e prandaj do duhet lexuar dhe rilexuar vëmendshëm, ndonëse e barti dhe shpaloi në endjen disamujore, rriskun e keqkuptimit, në nivel formal, si një bredhje ironike, në universin e librave dhe jetës me travëlime.
Së dyti: Procesi i hapur dhe dinamik, i shkrimit dhe komunikimit të librit Rabini im, me lexuesin e gjerë, jo vetëm e ngjizi ligjërimin poetik, por ndërkaq ia mbërriti që të zgjerojë dimensionet e kumteve estetike. Tashmë, shkrimi poetik, që fillimisht bëri jetën “virtuale”, të një komunikimi rastësor me lexuesin, mbledhur në një libër, Rabini im, përpos se i plotë, në shtjellimin e pastër kalendarik, qershor-tetor, të vitit të kaluar, ma në fund krijon shansin e leximit të plotë, si dhe të rileximit të herë-pas-hershëm, për të depërtuar në hemisferat e tekstit poetik, tejet të ndërlikuar si bisedim imagjinar, si teknikë shkrimi dhe qëmtimi, i vatrave të laryshisë letrare, që pranëvihen, me shumë mundësi të një endje palimpsesti, ndonëse rastësor, ku un-i autorial, ndërthuret me shumëfishin e un-it të qenies, në kohë dhe hapësirë, vetëm si ligjërim letrar. Një un specifik, që rend në kohë dhe hapësirë, e sidomos në pentagramin e fjalës, të një un-i të ashpër dhe ironik, ngahera të brishtë dhe vetmitar, nga vetja për te të tjerët dhe anasjelltas, për të endur kështu një rebus poetik të mëvetësishëm.
Në lidhje me situimin libror, tanimë kemi rrethanat të kthehemi dhe rikthehemi për të parë më qartë elementë të poetikave, që mundësojnë thurjen e një teksti me kaq larmi. Po hedhim një sy në gjendjet letrare, një term i I. Calvinos, të endura në faqet e librit, në pikën referenciale të un-it, për të prekur marrëdhënie me Rabinin. Në vargjet: Një poet afron largësitë di t’i këndojë bukurisë / Djallëzinë e fsheh midis një fjale kurrë nuk bërtet / Është një kërthi që përjetësisht pi gji… (faqe 22), që tregon për peshën e fjalës së Rabinit, si mësues, mik dhe udhërrëfyes, për autorin e përmbledhjes poetike. Në një situatë tjetër, zbulohet un-i, mbase venerimi i autorit për Rabinin, teksa shkruan: Rabini im o Rabini im njeri i diturive / Je një det i heshtur s’ua ke frikën stuhive… (faqe 125)

– Struktura e ndërthurjes së poetikave

Hapësira e teksteve poetike të përmbledhjes Rabini im, shenjon një situatë të ndërthurjes së poetikave ligjërimore të ndryshme. Bie në sy, si një element përveçues, që shtrihet në gjithë poezitë e librit, është vragëzimi monokolon, që bashkëlidh elementë të epikes, si narravitë poetike e ndodhisë, të dialogut hipotetik, shoqëruar me praninë e një lirizmi, pa anë e kufi, ndonëse këto prekla letrare vijnë me kurba të ndryshueshme, varësisht gjendjeve të un-it poetik, e shenjojnë përmbledhejen, kryesisht me shenja të poetikës klasike. Nga ana tjetër, e bashkëshkruar është edhe tipologjia e poetikës moderne, që dukshëm shmang rimat, vargëzimet, dhe madje krijon situime të befta, me ritmikën e personalizuar, me melodikën e brendshme, deri me shkrimin poetik si një palimpsest me shumë shtresa ligjërimi, që gërsheton dijen dhe artin, ndjesitë më të brishta me marritë më të mëdha. Përmbledhja poetike Rabini im, pasojë e ndërthurjes së këtyre poetikave, të letrares dhe diturakes, ka mundësi të shijohet më dy lexime:
– Leximi i secilës poezi, pra i gjendjeve të pezullive, mentale dhe shpirtërore, për të hyrë në marrëdhënie me secilën sekuencë poetike, si një rast që zbulon një vëllim poetik, me dimensione të zgjeruara.
– Leximi i tërësor i vëllimit poetik, si për ta pirë, me një frymë, kupën e derteve dhe të mbërrimeve të autorit, ma shumë të njeriut të librave, të bisedës imagjinare në mes autorit djhe Rabinit, që të fanitet si një poemë, atipike, që prania e bisedës dhe protagonistëve, ta zgjon këtë shenjëzim, jo se është përfundimisht ky shenjim.
Në rrafshet strukturore-kohore, është një libër vetjak, një akt frymëzimi dhe thadrimi, që rrok dhe shpalon përmasën e një kalendari poetik, thelbësisht autorial, që përfshin pak muaj e shumë ditë nga viti i kaluar. Struktura poetike, që përbëhet nga mbi njëqind poezi, ose mikrostutura, që endet në secilën prej tyre, dhe makrostuktura, që ka në bazë bisedën/kuvendimin e poetit me Rabinin, të dyja këto vatra, shqiptojnë gjendjet e shumta poetike, për dashurinë, jetën, filozofinë, fenë, seksin, kulturën, letërsinë, pra një botë e pamatshme, që sugjerohet nga autori. Poezia, siç pati pohuar Harold Bloom: … është një thirrje profetike që meriton pa diskutim kurorën e letërsisë imagjinare.(2008: 69), ose kulla ku ngujohet copa e shpirtit dhe mendjes së trazuar, që buron nga kuvendimi i gjatë me Rabinin, ura ndërlidhëse e botëperceptimit, e zgjerojnë frymimin dhe semantikën, me bashkëlidhini me Rabinin, mësues dhe udhërrëfyes, si pikë referenciale, si shkrim i brendashkruar, i përvojave të shumta shkrimore. Po kaq, struktura e vargut, që ka ritëm të brendshëm, ndonëse e bart shtegtimin e poezisë në kohë, ma tepër është eksperiment i ndërthurjes së poetikës klasike, e ngurosur në libra, që vjen me një shpalim modern, më gjasë të çatrafillosur, pra të çliruar nga poetikat orientuese, të cilat autori i refuzon dhe shpërfill, si pasojë e përvojës së gjatë në marrëdhënien jetësore me librin.