Këtë javë, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, bëri vizitën e tij të parë në Mitrovicën e Veriut që nga marrja e detyrës, përcjell KultPlus.

Ai ka drekuar me kryetarët e Listës Serbe, të cilët, siç ka thënë në një intervistë për KoSSev, i kanë përcjellë “shqetësimet e tyre”, e ndërkohë Hovenier ka përcjellë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për disa parime, duke përfshirë edhe atë se Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe demokratik.

Ai po ashtu ka thënë se qeveria e Kosovës ka të drejtë sovrane që të marrë vendim për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe se Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin e Kosovës.

“Ndava me ta [katër kryetarët e katër komunave në veri] angazhimin e Shteteve të Bashkuara për dy parime. Njëri, që e bën të qartë se Shtetet e Bashkuara e kanë pikëpamjen, shumë qartë dhe që nga viti 2008, se Kosova është shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

Ambasadori ka përmendur edhe çështjen e shumë diskutuar në Kosovë, atë të kufirit.

“Ne e dimë ku është kufiri; dhe, kufiri është në veri të vendit ku jam ulur unë tani, ndërsa unë jam ulur në Mitrovicë. Thënë kjo, Shtetet e Bashkuara janë njësoj të përkushtuara që të gjithë qytetarët e Kosovës të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe privilegje. Dhe në fakt, në procesin e Ahtisaarit dhe në mënyra të tjera, ne kemi punuar vërtet shumë për të ndërtuar një seri mbrojtjesh ligjore që do të trajtonin shqetësimet specifike të komunitetit serb etnik në Kosovë”, përfundon ai. /KultPlus.com