Serbia po e vazhdon luftën e saj propaganduese për ngjarjet e marsit të vitit 2004 në Kosovë.

Kjo pasi komisioni përzgjedhës i Qendrës së Filmit të Serbisë ka vendosur që filmi “Mrak” (Errësira) me regji të Dushan Miliqit të jetë kandidati serb për Oscar.

Filmi i regjisorit Miliq është një histori e trilluar për jetën në një enklavë serbe në Kosovë, gjatë ngjarjeve të marsit 2004, raporton Zeri.info.

Është një film i zhanrit triler psikologjik që trajton jetën në frikë të vazhdueshme të vajzës serbe Milica, e cila pas zhdukjes së babait dhe xhaxhait të saj mbetet vetëm me nënën Vukicën dhe gjyshin në një shtëpi drithëruese.

“Filmi ‘Errësira’ ndjek disa ditë të jetës së një familjeje në një enklavë të izoluar në Kosovë dhe Metohi. Me tension, atmosferë, gjuhë të aftë filmike dhe elemente tmerri, filmi na prezanton në një botë frike dhe pasigurie në të cilën tre breza të një familjeje përpiqen të ruajnë pamjen e një jete normale. Për shkak të emocioneve të forta, universalitetit të temës dhe personazheve, komisioni beson se filmi do të komunikojë me sukses me audienca ndërkombëtare dhe anëtarët e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit”, thuhet në vendimin e Komisionit përzgjedhës të Qendrës së Filmit të Serbisë.

Në garë për kandidatin e sivjetmë ishin këta filma: “E Premtja e Shenjtë – Kryqi në shkretëtirë”, “Vera kur mësova të fluturojë”, “Errësirë”, “Heronjtë e klasës punëtore” dhe “Strahinja Banoviq”.

Vitin e kaluar, filmi i Serbisë i përzgjedhur për Oscar u shënua me skandal. Filmi “Dara nga Jasenovaci” nga kritika botërore u quajt “propagandë serbe” dhe serbët dhe kroatët hynë në luftë në faqen e filmit IMDB. Kritikat erdhën deri në momentin kur u ndalua votimi për këtë film, pas së cilës u njoftua se u eliminua nga gara për çmimin prestigjioz të Akademisë Amerikane të Filmit.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar, e 95-ta me radhë, do të mbahet në Los Angeles më 12 mars 2023. /Zëri