Më shumë se 59 mijë Euro janë sekuestruar sot në pikën kufitare në Morinë.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. H. Gjatë kontrollit të ushtruar, në çantën e dorës së shtetasit S. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 59 100 euro, të padeklaruara nga 45-vjeçari, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi”, njoftoi policia.

Policia ka njoftuar se në lidhje me ktë ngjarje është proceduar penalisht një 45-vjeçar për mosdeklarimin e të hollave.

“Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 45 vjeç, banues në Istog, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë””, thuhet në njoftimin e uniformave blu.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.